E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edgar ani goli i dhjete

Sulmuesi shqiptar Edgar Çani ka realizuar rrjetën e dhjetë sezonale në kampionatin polak, në fitoren 2-1 që skuadra e tij, Polonia Varshavë regjistroi në javën e 26-të Ekstraklasas, përballë Krakovia Krakovës.
Lojtari i përfaqësueses kuqezi ishte titular në këtë sfidë mjaft të rëndësishme për ambiciet e skuadrës së tij që të sigurojë një vend në kupat e Europës, dhe si ka bërë gjatë gjithë këtij sezoni, numri 9 ia shpërbleu besimin teknikut Mishnievicz.
Çani gjeti rrugën e rrjetës në minutën e 70-të të takimit, duke finalizuar një kundërsulm perfekt, ndërsa goli i tij e ngriti në 2-0 avantazhin e vendasve, që më parë kishin realizuar me një 11-metërsh të shndërruar në gol nga Dvalishvili në të 5-ën.
Goli i sulmuesit 22-vjeçar kuqezi rezultoi vendimtar, pasi Polonia e Varshavës mbeti në inferioritet numerik në minutën e 86-të, ndërsa miqtë arritën të shkurtonin shifrat me penalltinë e holandezit Der Biezen.
Megjithatë, Polonia e ruajti avantazhin dhe me këtë fitore ngjitet në vendin e katërt, në kuotën e 44 pikëve. Kur kanë mbetur edhe katër ndeshjet e fundit të sezonit, ekipi nga kryeqyteti polak ndodhet vetëm një pikë larg zonës së kualifikimit në Europa League dhe ka 5 pikë diferencë nga kryesuesit, kushërinjtë-rivalë të Legias së Varshavës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›