Lamtumira e fundit per Morosinin

Automjeti që transportonte arkivolin e lojtarit ndaloi fillimisht në tribunën e tifozëve “ultras”, të cilët i kishin dedikuar parullën “Piermario në zemrat tona”, ndërsa në sfond ishin këngët e Xhovanotit dhe Ligabues, këngëtarët e preferuar të futbollistit të pafatë. Ndalesa e fundit e makinës funebre ishte në tribunën kryesore, ku nuk mungonin personalitete të futbollit dhe drejtues lokalë të Livornos, për t’u larguar më pas nga stadiumi, ndërsa ish-shokët e tij të skuadrës, përqafoheshin mes hidhërimit.
Por, në ditën e lamtumirës së fundit për ish-lojtarin e Kombëtares U-21 të Italisë, polemikat kanë vazhduar, përsa i takon ndihmës së shpejtë. Prej momentit kur Morosini ka pësuar infarktin dhe po përpëlitej në fushë, deri në daljen e ambulancës me futbollistin nga stadiumi kaluan plot 6 minuta e 24 sekonda.
Vonesa e madhe, e shoqëruar me dëshminë e dy mjekëve prezentë gjatë ndihmës së parë, se për të risjellë në jetë futbollistin nuk janë përdorur defibrilatorët, dy që ndodheshin në stadium dhe një në ambulacë, ka bërë të nisin hetimet në Prokurorinë e Peskarës dhe bluzat e bardha tashmë mund të përballen me akuzën e vrasjes së qëllimshme.