nderroja ta mbyllja te Juventus

“Luajmë sërish” është titulli i librit të kapitenit legjendar të Juventusit, më tepër një ditar personal që do të dalë në shitje më 24 prill dhe që revista prestigjioze e ka lexuar paraprakisht.
Në fund të sezonit, rrugët e Del Pieros dhe “Zonjës së Vjetër” do të ndahen, e kjo jo prej dëshirës së sulmuesit. “Ëndërroja ta mbyllja karrierën te Juventusi, por tashmë gjërat kanë ndryshuar”, ishin fjalët e numrit 10, që nuk e fsheh hidhërimin dhe zhgënjimin.
Më tej, në rrëfimin e tij Del Piero thekson: “Anjeli më befasoi. Megjithatë, një kapiten nuk duhet të harrojë kurrë detyrën e tij dhe atë që përfaqëson. Ky ka qenë sezoni më i komplikuar i jetës sime, sepse u vura përballë një realiteti që nuk e kam njohur kurrë gjatë këtyre 20 viteve: i të luajturit pak ose aspak”.
Gjithsesi, “Pinturikio” ka nënvijëzuar se nuk dëshiron të krijojë polemika, me klubin apo drejtuesit dhe është i gatshëm të respektojë çdo vendim, qoftë ky edhe largimi. Kjo për faktin se Del Piero e ka vendosur që do të vazhdojë të luajë futboll. Ai nuk është ende gati të varë këpucët në gozhdë.
Në anën tjetër, tifozët bardhezinj ëndërrojnë që Del Piero të vazhdojë të luajë edhe sezonin e ardhshëm me bardhezinjtë dhe se ndoshta klubi mund të ndryshojë qëndrim. Por, deklarata e idhullit të tyre ngjason më tepër me një lamtumirë… pse jo, ndoshta për t’u takuar sërish.