E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgar Çani i jep fitoren Askolit

 

Sulmuesi shqiptar i Askolit, Edgar Çani, i dhuroi fitoren skuadrës së tij në transfertën e vështirë me Salernitanën, në takimin e vlefshëm për kampionatin italian të Serisë B. Sonsin realizoi nga pika e bardhë në minutën e 11-të për ish-skuadrën e Ervin Skelës, ndërkohë që 11 minuta më pas, në të 22,’ Edgar Çani (i huazuar te Askoli nga Palermo) dyfishoi shifrat. Vendasit e Salernitanës shkurtuan diferencën me anë të Xherardit në minutën e 69-të. Për 19-vjeçarin Edgar Çani, i cili më parë ka luajtur edhe me Peskarën në Serinë C1, ky ishte goli i parë me fanellën e Askolit. Erjon Bogdani mund të luajë një pjesë loje sot në ndeshjen kundër Xhenoas. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare është rikuperuar plotësisht dhe është grumbulluar nga trajneri i skuadrës veroneze, Domeniko Di Karlo. Tekniku i Kievos është shprehur i kënaqur për faktin që Bogdani është rikthyer në dispozicion të tij duke thënë: “Kemi rikuperuar Bogdanin dhe Junkon, dy lojtarë shumë të rëndësishëm, që mund të bëjnë diferencën”. Po në Itali, Presidenti i Lacios, Klaudio Lotito, gjatë një interviste të gjatë për gazetën e njohur italiane “Il Tempo” ripërsëriti edhe një herë arsyet e argumentet për zgjedhjen në këtë post të lartë drejtues, atë të drejtorit sportiv, të ish-futbollistit shqiptar. “Kam zgjedhur një person shumë profesionist. Nuk është e thënë që ish-lojtarët, vetëm sepse kanë bërë disa gola tridhjetë vjet më parë, duhet të qëndrojnë me forcë në klub”. Në Turqi, Haxhetepe e “tre muskutierëve” shqiptarë Lika, Teli e Sukaj humbi në shtëpi me rezultatin e thellë 3-0 me Kajserispor në kampionatin turk.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›