Greqi, emigrantët protestojnë: Poshtë plani ‘racist’ i BE-së
Protestave të përditshme në Greqi kundër dhunës së policisë dhe kushteve të rënda ekonomike i janë bashkuar dje pasdite edhe ato të emigrantëve, të cilët kanë marshuar për të kundërshtuar politikën ‘raciste’ të qeverisë greke. Tashmë, duket se protestat në Greqi kanë marrë një formë të plotë antiqeveritare. Sipas AFP, emigrantët kundërshtuan politikën e ashpër për miratimin e azilit nga BE, ndërsa autoritetet greke mbeten në gatishmëri, pas dy javësh përleshjesh të përhapura në qytetet kryesore të vendit, që pas vrasjes së një adoleshenti nga policia më 6 dhjetor. Të mbështetur nga mësuesit dhe unionistët, grupet e emigrantëve u mblodhën në qendër të Athinës. Marshimi i emigrantëve ndodh në një kohë kur Greqia është në krizë ekonomike dhe rendi, për shkak të kaosit të krijuar nga protestat e përditshme, ndërsa qindra shkolla dhe universitete janë nën ‘pushtimin’ e protestuesve të rinj të që kërkojnë drejtësi për 15-vjeçarin, Alexis Grigoropoulos, të vrarë nga një oficer policie dy javë më parë. Demonstratat antiracizëm janë të drejtuar kundër Paktit Evropian për Azil dhe Emigrim, një dokument i përshtatur nga liderët evropianë më 16 tetor, i cili lejon që vetëm punëtorë të kualifikuar në nivel të lartë mund të kërkojnë të drejtë azili në territorin e BE-së. Pakti parasheh edhe forcimin e kontrollit në pikat e kufijve dhe frenimin e politikës së azilit me rritjen e numrit të refugjatëve, të cilët tashmë janë të detyruar të aplikojnë jashtë bllokut evropian, por të fituara të drejtën e azilit. Marshi i emigrantëve u zhvillua bashkë me protestat e tjera në Athinë dhe qytetin e dytë të Greqisë, Selanik. Protestat morën shkak nga vrasja e 15-vjeçarit, por tensioni u shtua edhe më shumë kur një tjetër adoleshent, djali i një lideri unionist aktiv në protestat antiqeveritare, u plagos në mënyrë të mistershme mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa qëndronte i shoqëruar me të rinj të tjerë në periferi të Athinës. Në protestën e të premtes të rinj të maskuar sulmuan dhe hodhën eksploziv në hyrjen e institutit francez, pasi rreth 1 000 të rinj dhe aktivistë komunistë marshuan në lagjen perëndimore të Peristerit për të dënuar aksidentin e dytë ndaj të rinjve, për të cilin fajësojnë forcat e rendit. Administrata konservatore e kryeministrit, Kostas Karamanlis është vënë nën presion nga protestat e përditshme kundër dhunës dhe kushteve ekonomike dhe nga kjo kanë përfituar edhe unionet, të cilat po e shtojnë presionin mbi qeverinë për votimin në Parlament të buxhetit. Protestuesit dje sërish sulmuan pemën e Krishtlindjeve, duke hedhur mbi plehra nga kazanët e Athinës.