E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apolonia e fundos Partizanin

 

Mbrojtësi 19-vjeçar i Partizanit, Renato Mallota shënoi pas vetëm 100 sekondash lojë pas asistit të Bakajt, duke bërë të heshte stadiumi “Loni Papuçiu”, por Apolonia u kundërpërgjigj kundër një Partizani që e mbylli me dhjetë lojtarë me tre gola në fitoren 3-1 të fierakëve në ndeshjen hapëse të javës së 16-të.Kjo krijoi një diferencë prej pesë pikësh me të kuqtë, që dhe pas kësaj jave rrinë të “ngulur fort” në vendin e fundit. Sulmuesi Mladen Bërkiç barazoi shifrat në minutën e 20-të, duke sjellë edhe qetësi në bankinën fierake e rritur në maksimum adrenalinën në një “Loni Papuçiu” tërësisht të lirë për tifozët. Asllani shënoi golin e dytë pas 15 minutave lojë të pjesës së dytë, duke entuziazmuar trajnerin boshnjako-serb Esad Karishik, por dhe pjesën tjetër të lojtarëve për shpërblimin prej 50 mijë lekësh për fitore. Në minutën e 71-të, Partizani do të mbetej pa portierin Orges Shehi. Kapiteni i “demave” frenoi në mënyrë të parregullt një lojtar fierak, dhe gjyqtari Albano Janku, e ndëshkoi me karton të kuq. Trajneri i Partizanit kreu një zëvendësim të detyruar, duke hedhur në fushë portierin zëvendësues 19-vjeçarin Dashamir Xhika. Apolonia ngulmoi për të shënuar golin e tretë, atë të sigurisë, që e gjeti me anë të Dhramit në minutën e parë shtesë e që vulosi përfundimisht rezultatin 3-1. Partizani është ende në kërkim të fitores, që i mungon prej 15 javësh, qysh kur fitoi në Lushnjë me rezultatin e ngushtë 1-0, dhe humbja në Fier me Apoloninë, duket se i dha fund ecurisë shpresëdhënëse të të kuqve.
Teuta-Besa
Gjithçka dukej në paqe në takimin e fqinjëve Teuta-Besa dhjetë minuta përpara përfundimit, aq sa dhe komentatorët radiosportivë po komentonin pa asnjë lloj emocioni derbin, por zëvendësuesi i Arbër Abilaliajt, kosovari Fitim Haliti në minutën e 82-të “shpiku” befasisht “golin e vockël”, që i dha fitoren 1-0 Besës e prishi humorin e trajnerit të Teutës. Sulejman Starova. Tri pikët ndaj durrsakëve e çuan Besën në vendin e tretë, me 25 pikë, dy më shumë se Dinamo e vendit të katërt, që nga ana e saj do të luajë kundër Lushnjës ditën e diel. Kjo ishte fitorja e 34-t e Besës në 125 ndeshje historike (52 fitore Teuta), ndërkohë që goli i Haliti ishte i 110 i kavajasve kundrejt 144 të durrsakëve. Në javën e 17-të Besa do të udhëtojë në Elbasan, ndërsa Teuta do të luajë në transfertë me Apoloninë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›