E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria dënon dhunën ndaj gazetarit

 

TIRANE - Një ditë pas dhunës së ushtruar ndaj gazetarit dhe zv/ kryeredaktorit të gazetës AlBANIA, Luan Kondi, ka reaguar edhe qeveria përmes një deklarate publike. Sipas deklaratës, qeveria dhe Kryeministri Berisha u kanë kërkuar organeve kompetente zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve të ngjarjes përpara drejtësisë. Ndërkaq, policia e kryeqytetit nëpërmjet një deklarate zyrtare pohoi se pas denoncimit në komisariatin nr.3, është shoqëruar si i dyshuar për ngjarjen, Leonard Zani 34 vjeç. Policia ka pohuar se ka nisur veprimet hetimore për zbardhjen e dhunës së ushtruar ndaj gazetarit nga persona të panjohur. Policia tha se nga veprimet e para hetimore ishte identifikuar si autor i goditjes ndaj gazetarit 34-vjeçari Zani, me banim në Tiranë. Ky fundit gjatë shoqërimit në komisariat, ka pohuar se nuk është konfliktuar me gazetarin, por ka ndërhyrë për ta ndarë, pasi ka parë se po e godisnin. Stafi i gazetës “Albania”, i kërkoi organeve të policisë përmes një deklarate, zbardhjen e autorëve të ngjarjes dhe vënien e tyre përpara drejtësisë. Gjithashtu, në të njëjtën deklaratë, hidhet poshtë deklarata e policisë së Tiranës, se ngjarja kishte ndodhur për motive të dobëta. Gazetari Luan Kondi u godit pasditen e të premtes në rrugën “Don Bosko”, përpara redaksisë së gazetës nga disa persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›