E Shtunë, 31 Tetor 2026

Obama: Jemi në rrezik nga thellimi i krizës

 

Presidenti i zgjedhur Barak Obama, ka paralajmëruar thellim të krizës financiare, duke kërkuar nga kabineti i tij i ri, tashmë i plotësuar përfundimisht, një përgjigje të shpejtë për të rinovuar ekonominë amerikane. Një nga prioritetet e Obamës gjatë fushatës së tij si kandidat për president, ka qenë përmirësimi i ekonomisë së shtetit superfuqi, shkatërrimi i të cilës i është vënë mbi supe presidentit në largim, Xhorxh Bush me politikën e tij të dështuar ekonomike dhe luftërat e pavend. E gjitha Amerika i ka drejtuar sytë nga presidenti i ri, i cili ka hyrë në histori si presidenti i parë me ngjyrë i Shteteve të Bashkuara, por edhe një president i ri në moshë me përkrahje të gjerë në popull. Presidenti i zgjedhur tha se “vështirësitë ekonomike që po kalon Amerika e detyruan atë të emëronte sa më shpejt anëtarët e kabinetit të tij”. Obama vendosi edhe zgjedhjet e fundit për kabinetin, duke bërë publikë emrat e zyrtarëve të rinj një ditë më parë. Kështu ai emëroi Hilda Solis si Sekretare të ardhshme të Punës dhe republikanin Rei LaHud, si Sekretar të Transportit. Solis (bijë emigrantësh nga Amerika Latine) është përqendruar në çështjet e emigracionit gjatë kohës kur ka qenë anëtare e Kongresit amerikan. “Gjatë tetë vjetëve të fundit, Departamenti i Punës nuk i ka ndihmuar familjet punëtore. Kam besim se gjërat do të ndryshojnë me ardhjen në këtë post të zonjës Solis, pasi Hilda ka mbështetur gjithnjë të drejtat e njerëzve në nevojë”, tha Obama. Sa për republikanin LaHud, Obama tha se “Emërimi i tij tregon frymën dypartiake, e cila do të na duhet që të ecim përpara në Amerikë. Rei e ka shpalosur këtë lloj fryme gjatë viteve të tij në shërbimin publik”. LaHud ka shërbyer më parë në Komisionin e Transportit të Kongresit.

Viktima e parë politike e krizës
Ka qenë kryeministri i Belgjikës, Yves Leterme, politikani i parë evropian, që u bë viktima e krizës financiare. Ai ka ofruar dorëheqjen e qeverisë së tij pas akuzave nga gjykata më e lartë në vend, se qeveria ishte përpjekur të ndikonte tek drejtësia lidhur me rastin e një banke. Megjithatë, mbreti Albert i II-të ka hedhur poshtë kërkesën për dorëheqje. “Fortis”, grupi bankar dhe i sigurimeve, e ka dërguar para drejtësisë vendimin e qeverisë belge për t’ia shituar asetet e këtij grupi një banke franceze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›