E Diel, 1 Nëntor 2026

Edgardo i Lucia-s në Operën e Tiranës

Ai është Edgardo që jeton në Skocinë e shekullit XVI. Familja e tij, Ravenswood, është e ndarë nga një urrejtje antike me atë të Ashton-ve. Por ai e dashuron Lucia-n e Ashton-ve, ndërsa dashuria e tyre është e destinuar të mos jetë e lumtur. I premtojnë njëri-tjetrit dashuri e besnikëri të përjetshme, por nuk ndodh kështu. Lucia-n e detyron i vëllai të martohet me një burrë tjetër, ndërsa Edgardo gjendet në Francë. Atë e mashtron i vëllai, Enrico, duke i thënë se dashuria e tij e ka tradhtuar... Pasi zbulohet e vërteta, Lucia çmendet nga dhimbja, e kur Edgardo merr vesh që ajo është duke vdekur, vret veten...

Në operën premierë "Lucia di Lamermoor", tenori italian, Gianluca Terranova, do të interpretojë në rolin e të riut Edgardo, të dashurit të zemrës së Lucia-s. Ai është djali që për dashurinë vret veten, një Romeo ndryshe, që debuton për herë të parë në një nga operat lirike më të rëndësishme botërore. Ndihet i lumtur që ky debutim ndodh në skenën e madhe të Teatrit të Operës e Baletit në Tiranë. Për Gianluca-n, ky është ndoshta i pari rol i madh dhe i rëndësishëm në karrierën e tij si tenor, edhe pse ngjitjet në skena të rëndësishme operistike në Itali, apo edhe jashtë saj nuk i mungojnë.

E Gianluca nuk është përzgjedhur rastësisht për këtë vënie në skenë. Nga drejtori i Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit është konsideruar si një talent që rrugën e ka të ndritur.

Për Gianluca-n, interpretimi i Edgardo-s, në veprën e kompozitorit italian Gaetano Donizetti, është nga më të vështirët për t‘u realizuar, jo vetëm sa i përket të kënduarit, por edhe teknikës së interpretimit. "Mbi të gjitha, them se është një rol aspak i lehtë, sidomos sepse është e vështirë të gjenden tenorë të cilët të mund të interpretojnë në mënyrën e duhur Edgardo-n. Të gjesh një tenor që të mund t‘ia dalë mbanë është pak e vështirë. Megjithatë, për mua, roli i Edgardo-s në "Lucia di Lamermoor", është një debutim, e për këtë shpresoj shumë t‘ia dal mbanë ashtu siç duhet", ka thënë ai. E në të vërtetë, mes shumë interpretimesh, Terranova e shikon interpretimin e Edgardo-s, edhe si rolin e parë të rëndësishëm për karrierën e tij. "Unë mendoj se për një tenor, interpretimi në "Rigoletto" dhe në "Lucia di Lamermoor" janë dy më të rëndësishmet në karrierën e një tenori. Për këtë arsye, e konsideroj si shumë të rëndësishme pjesëmarrjen time në këtë opera në Tiranë", vazhdon më tej ai.

Për tenorin italian Gianluca Terranova, realizimi i kësaj vepre, pjesë e përhershme e repertorit të teatrove më të rëndësishëm botëror, ka një rëndësi të veçantë, sidomos për faktin se bëhet fjalë për një bashkëpunim me një teatër të rëndësishëm italian siç është "Teatro del Maggio Fiorentino". "Kjo operë e Donizetti-t është tepër e rafinuar. Vënia në skenë e saj në teatrin tuaj kam përshtypjen se është shumë e rëndësishme. Mendoj se nevojitet një ndjeshmëri e madhe dhe një teknikë e mirë për ta realizuar dhe për ta përcjellë siç duhet këtë operë, sa lirike aq edhe tragjike", vijon më tej ai. Ai e konsideron TOB-in si një institucion i cili e do me të vërtetë operën dhe bashkëpunimi me teatrin italian, për një vepër tërësisht italiane, është një ndihmë që i jepet Teatrit të Operës së Tiranës. "Mendoj se kjo do të ndihmojë që në Teatrin e Operës të përmirësohen disa gjëra. Unë shikoj që këtu ka njerëz me vullnet e dëshirë të mirë për të ecur përpara e për të punuar, ndaj mendoj se ky bashkëpunim me ata që dinë të bëjnë me të vërtetë këtë zanat, ndikon në përmirësim", komenton tenori italian.

E në fakt, përkushtimin dhe dëshirën për të ecur përpara ai e kupton mirë edhe vetë. E di se sa shumë punë duhet për të arritur në nivelet e duhura. Gianluca, i diplomuar në piano, vazhdoi më pas studimet për kanto lirike. Pas kësaj, kaloi një periudhë të gjatë kohore duke kënduar në programe të ndryshme televizive në "Rai", me Pipo Baudo-n e me të tjerë prezantues të njohur në vendin e tij. Ai kujton edhe interpretimet në muzikal, në krah të Massimo Ranieri-t... Deri në vitin 2001, kjo ishte karriera e Gianluca-s, deri sa vendosi se kishte ardhur momenti që t‘i kthehej lirikës. E për të qenë pjesë e saj, ka nevojë për shumë studim e përkushtim. "Këtë këshillë kam edhe për baritonin tuaj, Ylber Gjinin, ka një zë të jashtëzakonshëm. I duhet të punojë edhe më shumë për të arritur ku duhet, por zëri i tij është një mrekulli", vazhdon më tej Terranova. Për të, sezoni i vitit 2008 është çelur suksesshëm me "Ballo maskash" në "Deutsche Oper am Rhein". Ai ka interpretuar "La rondine" në teatrin "Verdi" të Triestes. Në muajin gusht, ai është vlerësuar nga kritika, si dhe publiku, sidomos për interpretimin e tij në rolin e Dukës së Mantovës në "Rigoletto" në arenën e Veronës. Gjatë muajit tetor, ai ka qenë i ftuar në teatrin e Firences me operën "La bohème". "Karriera ime tashmë është në një stad vërtet të rëndësishëm. Sapo kam interpretuar ‘Rigoletto‘-n në Veronë, ‘Bohemën‘ në Firence. Tani do të interpretoj ‘Traviatën‘ sërish në Verona, e më pas do të jem në Venezia. Për mua, 2008-2009 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm për karrierën", thotë Gianluca. Ai, pavarësisht përvojës si këngëtar në televizion e gjen veten më shumë si këngëtar operash e jo më kot. "Më pëlqen më shumë cilësia dhe këtë cilësi të lartë e gjej në lirikë. Në muzikën pop këtë nuk e gjen dot, sepse aty hyn biznesi, ndërsa në lirikë, të duhet shumë punë të arrish atje ku duhet, të kapësh majat", tregon ai. Terranova uron të kthehet sërish në Shqipëri e të gjejë më shumë zhvillim në një teatër kombëtar kaq të rëndësishëm siç është ai i Operës. "Lucia di Lamermoor", opera tragjike me dy akte, do të ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës e Baletit si një bashkëpunim me "Teatro del Maggio Fiorentino". Në rolin e Lucia-s, interpretojnë sopranot Oriana Kurteshi dhe Francesca Micarelli, në rolin e Edgardo-s, Gianluca Terranova, ndërsa baritonët Ylber Gjini dhe Marco Camastra do të interpretojnë në rolin e Enrico-s, vëllain e Lucia-s në vepër. Ndërkohë, me rastin e 55-vjetorit të krijimit të Teatrit shqiptar të Operës e Baletit, do të jetë sopranoja Mariana Leka që do të ngjitet në skenë për të sjellë Lucia-n para publikut. "Lucia di Lammermoor" është një dramë tragjike në dy pjesë dhe tri akte. Për herë të parë, ajo u shfaq në teatrin "San Carlo" të Napolit, më 26 shtator 1835. Vepra është një variacion mbi temën e përhershme të dashurisë dhe vdekjes.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›