Rama: Berisha i dyshuari i madh për korrupsionin
TIRANË- Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama sërish dje gjatë turit të zhvilluar në Gramsh ka bërë thirrje për një bashkim të ri, përtej mureve ndarës, që kanë vendosur partitë mes njerëzve. Në një takim me banorët e Gramshit, Kryetari i PS-së, Edi Rama u shpreh se partia që ai drejton, duhet të fitojë betejën jo me Berishën, por me papunësinë e varfërinë dhe se kjo betejë do të bëjë dallimin midis të ardhmes dhe të shkuarës.”Beteja nuk është një betejë mes Edi Ramës dhe Sali Berishës. Kjo është një betejë mes familjeve shqiptare dhe varfërisë, mes familjeve shqiptare dhe papunësisë, mes familjeve shqiptare dhe injorancës, mes familjeve shqiptarë dhe korrupsionit e dhunës, mes familjeve shqiptare dhe së nesërmes që familjet shqiptare të mund të gdhihen pa ankthin e bukës, pa ankthin se me çfarë do ta çojnë fëmijën në shkollë, pa ankthin se çfarë do të bëjë fëmija pas të mbarojë shkollën, pa ankthin e papunësisë, pa ankthin se si do ta çojnë të moshuarin në spital, sepse analizat nuk bëhen më në spital dhe aspirina jepet me pagesë. Ne na duhet ta kuptojmë këtë betejë mes të ardhmes dhe së shkuarës, mes nesh dhe Sali Berishës e politikës së tij vjetër së bashku me të gjitha format që shpreh kjo politikë”- tha Rama në fjalën e tij. Në vijim të vizitës në Gramsh, Rama vizitoi dhe komunën e Skënderbegasit, kuu ndal të bisedonte me banorët e saj lidhur me problemet e shumta të tyre dhe realitetin e trishtë, që ata jetojnë. Gjatë këtij takimi, Rama ka shprehur bindjen e tij se programi i ri qeverisës i PS-së do të hapë një epokë të re në bujqësi dhe zhvillimin rural. Duke pohuar dështimin e qeverisjes Berisha në lidhje me sektorin e Bujqësisë, Rama u shpreh: “Sali Berisha u zgjodh me votë për të luftuar korrupsionin, por është sot njeriu më i dyshuar në Shqipëri për zhvillimet më të rënda të korrupsionit. Sali Berisha e ka mbyllur misionin dhe sot është një problem i madh për shqiptarët; sepse po keqqeveris; sepse shqiptarët janë sot më të varfër dhe më të papunë se ç’ishin”.