E Diel, 1 Nëntor 2026

Atentati: Sa nën sipërfaqe fle problemi i racës?

Sipas rrjetit televiziv amerikan, "FoxNews", u bë e ditur së fundmi se nga ana e disa hetuesve federalë qe zbuluar një komplot, i planifikuar nga dy neonazistë, për të vrarë kandidatin me ngjyrë, Barak Obama, si edhe 102 afro-amerikanë në shtetin Tenesi. Përmes të dhënave që u përhapën më pas nëpër shumë prej mediave amerikane, u bë me dije se fillimisht në shënjestrën e dy naziskinëve qenë studentët e zinj, por më pas masakra do të shtrihej në shkallë kombëtare, për të arritur deri tek objektivi final, kandidati me ngjyrë për Shtëpinë e Bardhë.

"Nuk votoj për Obamën, është i zi"

Por, për rrjetin britanik "BBC", atentati i supozuar është vetëm pjesa e dukshme e problemeve racore që ziejnë në Amerikë, por që jo të gjithë i zënë në gojë. Në fakt, reportazhi i djeshëm i publikuar në këtë media kërkon të nënvizojë se problemi i racës është diçka që qëndron pezull mbi zgjedhjet e 4 nëntorit. "Po të mos qe për Obamën, do kisha votuar për demokratët. Të zinjtë shkaktojnë veç trazira. Kjo është shija që kam në gojë", i tha gazetarit të BBC-së, Çarlsi, demokrat i regjistruar nga Uniontauni i Pensilvanisë.

Por, vëren BBC, sa të besueshme janë sondazhet e deritanishme që e nxjerrin Barak Obamën fitues? Sa janë zgjedhësit që thonë se do votojnë për Obamën ngaqë nuk duan të konsiderohen racistë? Ose, siç e shtron pyetjen më thjesht gazetari: Sa janë ata që mendojnë si Çarlsi, por nuk e pranojnë hapur? Ndërkohë që demokrati i regjistruar nga Pensilvania shkon edhe më tej, duke i thënë se pjesa më e madhe e shokëve të tij janë të të njëjtit mendim.

Gazetari i BBC-së e zhvendos reportazhin në një restorant të qytetit, ku kamerierja, e cila nuk di me saktësi as datën e zgjedhjeve, i thotë: "Më pëlqen MekKeini, pasi arrij t‘ia shqiptoj emrin, kështu që ka shumë të ngjarë të votoj për MekKeinin". Kamerierja qe pak e informuar mbi zgjedhjet, por me këndvështrime shumë të qarta: "Është nga Amerika, më duket. Nuk di as nga është. Di që është rritur këtu, por nuk është amerikan. Mendoj se presidentët amerikanë duhet të jenë nga Amerika". Gjatë fazës primare të zgjedhjeve presidenciale, 12 për qind e votuesve të Pensilvanisë thanë se raca mbetej faktor i rëndësishëm, dhe kjo, vëren BBC-ja, është afërsisht sa avantazhi që gëzon Obama kundrejt MekKeinit në këtë shtet.

Të arrestuarit

Bëhet fjalë për dy të rinj, Daniel Kouart, 20 vjeç, nga Tenesi, dhe Pol Shleselman, 18 vjeç, nga Uest Helena e Kansasit. U arrestuan nën akuzën e mbajtjes kundër ligjit të armëve me gryka të shkurtuara. Por, në mendje kishin një krim shumë më të rëndë: donin të vrisnin kandidatin me ngjyrë për në Shtëpinë e Bardhë, Barak Obama, duke i qëlluar apo duke i prerë kokën gjatë një fjalimi që do mbante në një shkollë pranë Memfisit. Të dyshuarit, që të dy skinhead-ë dhe neonazistë, kishin ndër mend të hapnin zjarr edhe kundër nxënësve të shkollës, e frekuentuar kryesisht nga të rinj afro-amerikanë.

Plani

Dy neonazistët, sipas dokumenteve të hetuesve, kishin ndër mend të vrisnin 102 afro-amerikanë, duke iu përmbajtur numrit të viktimave të një masakre të famshme. Të dyshuarit kishin ndër mend të vrisnin 88 afro-amerikanë me armë zjarri dhe t‘u prisnin kokat 14 të tjerëve. Numrat 88 dhe 14 kanë vlerë të rëndësishme simbolike për mbështetësit e ideve të supremacisë së racës së bardhë. Agjentët nuk saktësuan shkollën e mesme në të cilën do vihej në jetë plani, por treguan se objektivi përfundimtar i dy neonazistëve kishte qenë vetë Barak Obama.

Prokurori: Akuzë serioze

"Akuzat kundër dy të rinjve të arrestuar nën dyshimin e organizimit të një komploti për të vrarë kandidatin presidencial, Barak Obama, janë serioze dhe do të trajtohen si të tilla", pohoi për mediat prokurori i distriktit në Tenesi, Lorenc Lorenci, në një komunikatë me të cilën autoritetet konfirmuan të dhënat jozyrtare të publikuara nëpër shumë media. Sipas hetuesve, dy të arrestuarit, Daniel Kouart dhe Pol Shleselman, kishin hyrë në kontakt me njëri-tjetrin përmes internetit, falë një të njohuri të përbashkët dhe rezultojnë me bindje të forta lidhur me filozofinë e "fuqisë së të bardhëve" dhe "skinhead"-ëve. Qëllimi i tyre qe kryerja e një serie vrasjesh - pasi të kishin vjedhur një dyqan armësh - që duhej të përmbyllej me vrasjen e Obamës, veprim, për përmbushjen e të cili "kanë deklaruar se qenë të gatshëm të vetëflijoheshin".

Një zëdhënës i departamentit të drejtësisë në Uashington vërejti se si që të dy kishin qenë të vetëdijshëm mbi rrezikun e përmbushjes së këtij plani dhe sidomos sa e vështirë, në mos e pamundur, të shtinin mbi Obamën. "Mendonin se ndoshta nuk do ia dilnin në krye, por pranonin faktin se mund të mbeteshin të vrarë teksa do përpiqeshin ta qëllonin", tha Xhim Kavanou, një prej agjentëve që është marrë me këtë çështje. Gjatë rrjedhës së fushatës elektorale, Obamës i janë kujtuar disa herë vrasjet e "modelëve të tij idealë", Xhon Fitzxherald Kenedi dhe Martin Luter King.

Arrestimi, i mbajtur sekret

Arrestimi është kryer gjatë ditëve të shkuara, por është mbajtur sekret. Sipas asaj që bëhet me dije nga hetuesit, natën e 21 tetorit dy djemtë bindën një vajzë të drejtonte makinën që do t‘i shpinte për të kryer një vjedhje, e cila do të ishte edhe pikënisja e masakrës. Vjedhja dështoi dhe, pasi lanë vajzën, të dy vazhduan për të blerë maska dhe litarë najloni, por as këtë nuk mundën ta bënin, pasi u arrestuan nga agjentët.

Gjatë marrjes në pyetje, të dy pranuan planin që kishin ndër mend të realizonin dhe u mburrën me ideologjinë e tyre naziste, si dhe faktin që qenë të gatshëm të rrezikonin edhe jetët për të vrarë Obamën.

Socialisti i rrezikshëm

Dhe nuk janë vetëm dy djemtë e rinj të zemëruar me Obamën. Dje, "Drudge Report", një sit me prirje të forta djathtas (në krizë gjatë epokës Obama, duke qenë se vëmendja është drejtuar nga site liberalë si "Huffingtonpost"), nxori nga arkivat një intervistë të vjetër radiofonike, për të treguar se Xhon MekKein dhe Sara Peilin kanë të drejtë kur e akuzojnë Obamën si një "socialist të rrezikshëm". Në intervistën në fjalë, dhënë shtatë vjet më parë në një radio lokale të Çikagos, në kohën kur qe senator në parlamentin shtetëror të Ilinosit, Obama qahej se Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe lëvizja për të drejtat civile "nuk janë marrë kurrë me rishpërndarjen e pasurisë". "Është tragjedi që lëvizja për të drejtat civile është përqendruar aq shumë në profilin gjyqësor dhe aq pak mbi ridistribuimin e pasurisë dhe të drejtësisë ekonomike", thoshte gjatë intervistës kandidati me ngjyrë. Më pas shtonte: "Liderët e saj nuk u kanë kushtuar vëmendjen e duhur organizatave të bazës, të cilat e kanë potencialin e nevojshëm për ta realizuar një ndryshim të tillë në ndarjen e pasurive. Mendoj, thotë ai në përfundim të intervistës, se këto ndryshime janë të mundshme më tepër përmes legjislacionit, se sa përmes gjykatave". Qëndrimi, krejt i pranueshëm për parametrat evropianë, vërehet si tepër liberal për standardet amerikane, dhe nuk është aspak rastësi që intervista radiofonike u mor menjëherë nga stafi i MekKeinit, i cili ka ndër mend ta përdorë që këtu e deri më 4 nëntor, për të vërtetuar se Obama është një "marksist i rrezikshëm".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›