Edhe AAK-ja “importon” anëtarë nga LDD-ja

Mirëseadhje dy anëtareve të reja në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës u ka uruar anëtarja e kryesisë së AAK-së dhe kryetarja e Aleancës së Gruas së Kosovës (AGK), Donika Kada-Bujupi, sipas të cilës, aderimet e reja dëshmojnë se AAK-ja është “shtëpi e bashkimit të vlerave dhe dijes”.
Ajo ka thënë se Kosova sot gjendet në një situatë jo të mirë dhe qëllimi dhe angazhimi i AAK-së është që me ardhjen e njerëzve që ofrojnë dije dhe që kanë kapacitete dhe kualitete, në një kohë kur pritet kthimi i shpejtë i kryetarit Ramush Haradinaj, partia të përgatitet për një Kosovë më ndryshe.
“Sigurisht ardhja e zonjave sot, është një lehtësim që ky program të jetësohet më lehtë, sepse do t’i fusim në funksion të gjitha njohuritë, dijen dhe aspektin profesional të tyre. Iliriana dhe Jeta mirë se erdhët”, ka thënë Kada-Bujupi.
Ndërkaq, Iliriana Gafurri ka thënë se arsyeja kryesore e aderimit të saj është qeverisja e mirë e AAK-së në komunën e Pejës, përderisa ka shtuar se Kosova e meriton të gëzojë një qeverisje sikur 100 ditshi i Ramush Haradinajt.
“Arsyeja e ardhjes sime në këtë shtëpi sot është qeverisja e AAK-së që ka bërë në vendlindjen time. Sidomos këto tri vjetët e fundit, ndryshimet dhe të mirat që i ka përjetuar Kuvendi Komunal dhe komuna e Pejës, është meritë e qeverisjes së Aleancës, është një qeveri serioze, një qeverisje me përkushtim, e cila ka arritur që të bëjë një konstruktivitet dhe të arrijë edhe lidhjen me nivelin qendror. Të gjitha këto ma kanë forcuar bindjen se AAK-ja premton për një qeverisje edhe në nivel qendror”, ka thënë Gafurri.
Gafurri ka thënë se në LDD-ja mund të funksionojë si parti dhe nuk ka vërejtje për ish partinë e saj, por thënë se përspektivën e ka parë në AAK dhe nën mburojën e Ramush Haradinajt.
Ndryshe, aderimet nga LDD-ja në AAK pasojnë aderimet e vazhdueshme nga LDD-ja në LDK. Zyrtarët e AAK-së pohojnë se ditëve në vazhdim do të ketë edhe aderime të reja, madje siç thonë ata, do të ketë edhe komplet aderime të degëve të LDD-së.