Edhe Dallku e Curri drejt Serisë A

Albania-sport- Jo vetëm Edmond Kapllani do të jetë nesër në Shkodër në vëmendjen e menaxherëve të klubeve të mëdha. Nën "lupë" do të jetë edhe mbrojtësi kosovar, Armend Dallku, i cili aktivizohet në Ukrainë, me Vorskla Poltava.
Lajmin për Albania-sport.com, e jep një burim i besueshëm pranë ndërmjetësit të dy menaxherëve italianë, i cili është një shqiptar (ish-lojtar i Dinamos dhe kampion me këtë ekip në sezonin 1989-1990) por që jeton jashtë shtetit, madje në një vend shumë intrigues: Slloveni, kundërshtarin e nesërm të Shqipërisë.
Jashtë vëmendjes nuk do të jetë as Debatik Curri, por mesfushori nuk do të luajë nesër në Shkodër. Scouterit do të udhëtojnë drejt Sofjes, për të ndjekur autorin e golit shqiptar kundër Holandës në Amsterdam, një gol potent. Edhe Dallku shkëlqeu kundër formacionit të Van Basten, madje goditi dhe traversën, për të "goditur" dhe menaxherët.