Edhe Frank Riberi nën "shënjestrën" e Benitez
Trajneri i Liverpulit, Rafael Benitez, synon të afrojë në skuadër mesfushorin e Bajernit të Mynihut, Frank Riberi. Lojtari i Kombëtares franceze, që cilësohet si një prej yjeve të "Gjelave" në "Euro 2008", është shndërruar në lojtar të klasit botëror që prej transferimit te gjigandët bavarezë gjatë verës së kaluar. 25-vjeçari konsiderohet si një prej lojtarëve të krahut më të rrezikshëm në botë, duke qëndruar në nivelet e lojtarëve si Kristiano Ronaldo dhe Lionel Mesi. Me paraqitjet e tij te Bajerni, Riberi tërhoqi vëmendjen e disa prej klubeve më të mëdha në Evropë dhe sipas raportimeve nga Gjermania, Liverpuli është gati të paguajë 20 milionë sterlina për ish-lojtarin e Olimpik Marsejës. Benitez synon të përforcojë sulmin gjatë merkatos së verës dhe ka vëzhguar disa lojtarë, mes të cilëve edhe Maksi Rodriguez e Albert Rieran, që militojnë në kampionatin spanjoll. Aftësitë e Riberisë për të luajtur në çdo pozicion të fazës sulmuese e tërheqin pamasë ish-trajnerin e Valencias. Benitez ka planifikuar të ndërtojë skuadrën e re rreth yllit spanjoll Fernando Torres, e mesfushori francez shpreson të ndërtojë një prej sulmeve më të frikshme në botë. Kjo pasi Riberi do të luante përkrah Rajan Babel e kapitenit Stiven Xherard në mbështetje të Torrës, në skemën 4-2-3-1. Problemi i vetëm për të afruar 25-vjeçarin është oferta financiare: Bajerni vështirë se do të pranojë të privohet nga Riberi, për të cilin një vit më parë pagoi në arkat e Marsejës afro 17 milionë sterlina. Nëse dëshiron ta largojë nga "Alianz Arena" atë që cilësohet si një prej talenteve më të mëdhenj në Evropë, Benitez duhet ta rrisë ndjeshëm ofertën. Edhe pse për momentin nuk dihet sa fonde do të ketë në dispozicion për merkaton, drejtuesi i stolit të Liverpulit po mendon edhe afrime të tjera. Një prej tyre është mesfushori i Aston Vilës, Geret Berri. Mesfushori kërkohet me forcë nga kapiteni Stiven Xherard: "Jemi miq të mirë dhe dua me patjetër që Liverpuli të sigurojë shërbimet e tij, tha kapiteni i ‘Reds‘. Jam i sigurt se Geret e ka të vështirë të largohet nga Vila, por tashmë ai është 27 vjeç dhe duhet të luajë në Ligën e Kampioneve". Ndërkohë, Fernando Torres është shprehur se do të qëndrojë për shumë vite në "Anfilld Roud": "Më bëhet qejfi që klube si Barça apo Çelsi më kërkojnë, tha 24-vjeçari, por objektivi im është të qëndroj edhe për shumë sezone me Liverpulin".