Edhe Fulhami në garë për Etrit Berishën

Afati kalimtar i janarit po afrohet, i cili Kalmarin sipas të gjitha gjasave do ta lë pa njërin prej lojtarëve më të rëndësishëm të saj.
Në fakt, skuadra suedeze pritet të mbetet pa portierin kosovar, Etrit Berisha, i cili është bërë dëshirë e shumë skuadrave evropiane, pas paraqitjeve të shkëlqyeshme me Kalmarin dhe Kombëtaren e Shqipërisë.
Në fakt, skuadra italiane Bologna dhe ajo franceze Evian Thonon Gaillard nuk janë të vetmet që kanë shprehur interesim prishtinasin.
23 vjeçari tashmë ka rënë në sy edhe të një skuadre nga Premierliga angleze. Këtë e ka konfirmuar vetë Berisha për Express, por pa dashur t’ia zbulojë emirin e ekipit që i është vënë pas. Mirëpo, gazeta Express ka mësuar se bëhet fjalë për Fulhamin, gjë që nuk e ka mohuar as vetë Berisha.
“Përveç Bolognas dhe Evianit më janë ofruar edhe disa mundësi të tjera. Mundësia më e re imja është një skuadër shumë e njohur nga Premierliga”, deklaroi Berisha për Express.
“Më vjen keq, por nuk dëshiroj t’ia zbuloj tash për tash emrin e atij ekipi, sepse ende ka kohë, ngase afati kalimtar i janarit është ende larg dhe deri atëherë mund të ndryshojnë gjërat”, tha Berisha, pa e përjashtuar Fulhamin, për të cilin Express ka mësuar se ka shprehur interesim për t’i siguruar shërbimet e tij.
Reprezentuesi i Shqipërisë ka kontratë edhe për një vit tjetër me Kalmarin, por ai ka pohuar se, sipas të gjitha gjasave, do ta lë ekipin suedez në fillim të vitit të ardhshëm, ngase dëshiron që karrierën ta vazhdojë në ndonjë kampionat më të fortë.