E Shtunë, 31 Tetor 2026

Golashënuesi i pavdekshëm

Francesco Totti s’ka të ndalur. Kapiteni i Romës, pavarësisht moshës 36 vjeç po vazhdon të mahnit me paraqitjet e tij. Ai realizoi dy herë në fitoren 4-2 ndaj Fiorentinës të shtunën mbrëma me çka u ngjit në kuotën e 221 golave në Serie A. Totti është në ndjekje te pozitës së dytë të golashënuesit më të mirë në histori të futbollit italian.

Francesco Totti nuk ndalet kurrë së befasuari: me dy golat që realizoi të shtunën mbrëma në fitoren 4-2 kundër Fiorentinës, kapiteni i Romës u ngrit në kuotën 221 në Serie A. Ai ëshrë aktualisht golashënuesi i tretë më i mirë në histori të futbollit italian. Numri 10 i Giallorossëve tashmë ka në shënjestër pozitën e dytë që i takon Gunnar Nordhalit, i ndalur në 22 gola. Me paraqitje si kjo e fundit kundër Fiorentinës, nuk do të nevojitet shumë dhe Totti do të tejkalojë edhe ish golgeterin e Milanit.

Ish reprezentuesi italian inspiroi Romën drejt fitores së katërt të njëpasnjëshme në Serie A për më tepër duke mposhtur një skuadër si Fiorentina që ka qenë befasia më pozitive deri më tani gjatë këtij stinori në Serie A. Po ashtu, Roma ia ndërpreu skuadrës Viola serinë prej nëntë ndeshjeve pa humbje. Për këtë, fajtor kryesor ishte Totti i cili realizoi dy gola, të dy në pjesën e parë. Këto shënime ishin secili më i bukur se tjetri.

36 vjeçari fillimisht riktheu Romën në epërsi me një gol të bukur në minutën e 19-të pas një kombinimi me Mattia Destron. Kurse, në çastet e fundit të pjesës së parë, Totti lansoi një raketë nga distanca e cila ishte e pandalshme për portierin e Fiorentinës, Emiliano Viviano.

“Ishte fundi i pjesës së parë dhe mundësia e fundit të shënojmë. Andaj, vendosa të godas, pa marr parash si do të mund të përfundonte”, deklaroi pas ndeshjes Totti duke shpjeguar dy shënimet e tij.

“Doli mirë në fund”, u shpreh ai. Totti shfrytëzoi rastin për t’ju kundërpërgjigjur të gjithë atyre që nuk hezitojnë ta kritikojnë sa herë që ai ose Roma nuk paraqiten në nivelin e duhur.

“Kur nuk arrijnë rezultatet, kritikat gjithmonë janë të theksueshme. Por, jemi duke përcjellë urdhërat e trajnerit Zeman dhe kanë filluar të vijnë edhe rezultatet. Duhet të qëndrojnë të gjithë të bashkuar në të njejtin krah për të dhënë maksimumin tonë”, përfundoi ai.

Golashënuesit më të mirë në Serie A:

Silvio Piola: 274 gola

Gunnar Nordahl 225

Francesco Totti 221

Giuseppe Meazza 216

José Altafini 216

Roberto Baggio 205

Kurt Hamrin 190

Giuseppe Signori 188

Alessandro Del Piero 188

Gabriel Batistuta 184

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›