E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Hoxhaj merr premtime për njohje

Nga Express më 18 gusht 2011 në ora 20:09

Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të takimit të Komitetit Ministerial të Organizatës për Kooperim Islamik në Stamboll, ka zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues të shteteve anëtare të OKI-t.

Ministri Hoxhaj, ka pasur një takim të veçantë me ministrin e Punëve të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Ahmet Davutoglu.

Hoxhaj ka falënderuar ministrin e Jashtëm turk, për mbështetjen sidomos pas zhvillimeve të fundit në veri të Kosovës, me ç’rast qëndrimi i Turqisë ka qenë në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

Ministri i Jashtëm i Kosovës e ka njoftuar homologun Davutoglu për vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për shtrirjen e sovranitetin në tërë territorin e shtetit.

“Kosova është një shtet funksional, ku minoritetet gëzojnë të drejtat më të avancuara në Evropë dhe jetësimi i Pakos së Ahtisaarit në veri është vizioni i vetëm për atë pjesë të vendit”, ka thënë Hoxhaj, duke kërkuar nga shefi i diplomacisë turke mbështetjen e mëtutjeshme të Turqisë për përmbylljen e procesit të njohjes së Kosovës.

Në anën tjetër, ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Davutoglu, ka siguruar Ministrin Hoxhaj se Turqia edhe më tutje do të mbështes Republikën e Kosovës në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit.

“Ne do të vazhdojmë ta mbështesim Republikën e Kosovës në rritjen e numrit të njohjeve, sidomos tek shtetet anëtarë të OKI-it”, ka thënë Davutoglu.

Ministri Hoxhaj ka ftuar homologun turk që ta vizitojë Republikën e Kosovës, vizitë e cila do të ndodh gjatë javës se ardhshme, ku do të diskutohen gjerësisht temat e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor në mes të dy vendeve tona.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, është takuar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Kooperim Islamik, Ekmeleddin İhsanoglu, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen në lobimin te shtetet anëtare të kësaj organizate që të njohin pavarësinë e Kosovës, në përputhje me Rezolutën e miratuar në sesionin e 38 të Organizatës për Kooperim Islamik, të zhvilluar në Astana të Kazakistanit.

Gjatë qëndrimit në Stamboll, Ministri Hoxhaj ka zhvilluar një takim edhe me presidentin e Somalisë, Sharif Sheikh Ahmed, me të cilin ka diskutuar për tema të ndryshme me interes të dy vendeve. Me këtë rast, ministri i Jashtëm kosovar i ka premtuar presidentit të Somalisë mbështetjen e Republikës së Kosovës në zbutjen e krizës së urisë që ka kapluar këtë vend afrikan.

Ministri Hoxhaj po ashtu është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Malajzisë, Anifah Aman, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin bilateral mes dy shteteve.

“Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë pjesëmarrjes në takimin Ministerial të Komitetit Ekzekutiv të Organizatës për Kooperim Islamik të mbajtur në Stamboll, ka zhvilluar takime edhe ministrat e jashtëm të disa vendeve të tjera anëtare të Organizatës për Kooperim Islamik, të cilat pas “pranverës arabe” dhe kthesave politike në vendet e tyre, kanë një situatë të re dhe një qasje shumë pozitive ndaj pavarësisë së Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Ministria Jashtme e Republikës së Kosovës.

Po ashtu njoftohet se ministri Hoxhaj ka marrë premtime nga disa përfaqësues të vende të organizatës 57-anëtarëshe islamike, se qeveritë e tyre janë në proces të vendimmarrjes për njohjen e Republikës së pavarur dhe sovrane të Kosovës. /kp/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›