E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Kosova të përfshihet në Kartën e Adriatikut

Në fjalën e mbajtur në këtë takim, kryeministri Sali Berisha theksoi se kjo kartë afroi më shumë në hapat bashkëpunuese vendet e rajonit. 

"Karta e Adriatikut u shndërrua në një proces që bëri të mundur anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë dhe Kroacisë dhe de facto edhe Maqedonisë në NATO. Kjo nisëm mirëpriti dhe mirëpret vendet e tjera, Malin e Zi dhe  Bosnjën dhe mbetet e hapur plotësisht dhe funksionon për Serbinë dhe Kosovën", tha Kryeministri. Sipas tij, "Karta e Adriatikut 5, menjëherë pas themelimit, u shndërrua në një mekanizëm të fuqishëm të bashkëpunimit dhe integrimit rajonal të çështjeve më të rëndësishme dhe sensitive të vendeve dhe kombeve, që janë çështjet e sigurisë".

Berisha u ndal edhe tek realiteti në Kosovë, duke theksuar se shteti i ri është faktor stabiliteti në rajon. "Jam i bindur se Kosova, e cila është këtu në rajon në disa aspekte de facto anëtare e NATO-s, de jure nuk është,  me gjithë bashkëpunimin e shkëlqyer që ka me KFOR-in. Kosova është një vend garancie stabiliteti dhe paqeje në rajon me një rol të veçantë. Jam i i bindur se pas kapërcimit të një problematike në Veriun e Kosovës, Serbia do të marrë rolin që i takon në interesin më të mirë të të ardhmes së kombit serb", theksoi Berisha.

Ambasadori i SHBA-së, Aleksandër Arvizu, vlerësoi ndihmën që vendet e “Kartës së Adriatikut” po ofrojnë në misionet e NATO-s dhe rolin që ka luajtur kjo Kartë në fuqizimin e vendeve të rajonit. "Pak kohë më parë vendet e Ballkanit Perëndimor ishin konsumatorë të sigurisë, ndërsa sot ato janë ndihmues në sigurinë, duke dërguar trupa ushtarake në disa nga zonat më të rrezikshme si Afganistani. Kjo tregon që këto vende janë bërë ofruese të sigurisë", tha ambasadori Arvizu.

Ndërkohë, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, tha se NATO-ja është garancia e lirisë, sigurisë dhe e zhvillimit në tërësi. Duke e cilësuar sukses procesin e zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor, ajo theksoi se kjo ka ndikuar në shpejtimin e reformave demokratike në këto vende, si dhe në forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimin rajonal. Topalli nënvizoi se Karta e Adriatikut mbetet një forum gjithpërfshirës, ku duhet të marrin pjesë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Me këtë rast ajo vlerësoi të rëndësishme pjesëmarrjen e Kosovës në konferencën e sotme, në statusin e vëzhguesit. "Shqipëria, si një vend themelues i Kartës së Adriatikut, do të mbështesë fuqishëm përfshirjen e Kosovës në këtë organizatë, gjë që do t'i shërbente shpejtimit të integrimit të Kosovës në NATO", tha kryetarja e Kuvendit. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-10-24 13:10
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›