E Shtunë, 31 Tetor 2026

Feith angazhohet për një RTK të pavarur

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian në Kosovë, Pieter Feith, tha sot se misioni që ai drejton është i interesuar që Kosova ta ketë një transmetues publik i cili do të jetë tërësisht i pavarur.

Feith, pas një takimi me kryetarin e Bordit të RTK-së, Rrahman Paçarizi, ka thënë se situata e financiare e RTK-së është shumë serioze dhe shprehu përkrahjen e tij për gjetjen e një zgjidhjeje. “Ne jemi shumë të interesuar që ta kemi një transmetues publik, që është plotësisht i pavarur”.

Sikur raporton vetë RTK-ja, Feith ka deklaruar se Radio Televizioni i Kosovës duhet të ketë një financim të pavarur, ndërkohë që ka theksuar se drejtori i ardhshëm duhet të jetë një profesionist, menaxher i mirë dhe i pavarur politikisht.

Kurse Paçarizi ka thënë se RTK-ja gjendet në gjendje të vështirë financiare dhe kërkoi që të gjendet një zgjidhje emergjente.

“Çështjet që u diskutuan, kanë të bëjnë me çështjet më emergjente që e karakterizojnë RTK-në. Çështja ma kryesorë është ajo lidhur më financimin. Ne sot kemi kërkuar mbështetjen dhe kemi marrë mbështetjen e z. Feith, së pari për një financim të përkohshëm, për të dalë nga situata e kolapsit financiar, në të cilën RTK ndodhet, e më pas edhe në gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme. U pajtuam që duhet të ketë një financim të pavarur, i cili duhet të sigurojë edhe politika të pavarura editoriale”, tha ai.

Feith dhe Paçarizi janë pajtuar që së shpejti të hapet një kanal televiziv në gjuhën serbe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›