E Shtunë, 31 Tetor 2026

Për dy javë, shtatë vetëvrasje

Statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se dukuria e vetëvrasjes dhe tentim-vetëvrasjes, në dy javët e para të muajit janar të këtij viti, ka qenë alarmante.

“Në bazë të raporteve ditore që janë të evidentuara, për rastet e vrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve, na del se nga 1 janari janë raportuar 7 raste të vetëvrasjeve dhe 15 raste të tentim vetëvrasjeve”, thekson zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Sabrije Kamberi. Ajo sqaron se vetëvrasjet janë kryer në forma dhe me mjete të ndryshme.

“Mjetet, të cilat përdoren për vetëvrasje, janë armët e zjarrit, hedhja nga lart, litari, medikamente të ndryshme etj.”, thotë Kamberi.

Zëdhënësja Kamberi shton se gjinia mashkullore prin me rastin e vrasjeve, ndërkaq që gjinia femërore prin me numrin e tentim-vetëvrasjeve.

Sipas saj, ka pasur mjaft raste kur personat kanë tentuar të vetëvriten më shumë se një herë. Në anën tjetër, sociologët vlerësojnë se arsyet që i shtyjnë njerëzit që të vetëvriten janë të shumta.

Milaim Nishori thotë se shkalla e vetëvrasjeve në vend është një nga treguesit e gjendjes së kualitetit të institucioneve të vendit, si dhe punës së tyre.
Nishori thekson se një nga faktorët kryesorë që i shtyn personat të vetëvriten, është gjendja e rëndë ekonomike, ndërkohë që ai përmend edhe faktorë tjerë.

“Shkak i rritjes enorme të numrit (të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve), është edhe ndryshimi i mënyrës tradicionale të të jetuarit”.

“Vlerat tradicionale kanë rënë, ndërsa vlerat moderne ende nuk janë rrënjosur sa duhet, kështu që jemi në një mes, as në stilin tradicional, as modern dhe jemi në një humbje të identitetit ekzistencial”, vlerëson Nishori.

Sociologu Nishori shton se nga institucionet kërkohet një qasje e drejtë ndaj problemeve reale, në të cilat, sipas tij, qëndrojnë edhe shkaqet e vetëvrasjeve.

Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se problemet që shkaktojnë dukurinë e vetëvrasjes, duhet adresuar në një varg institucionesh.

Sipas tij, Ministria e Shëndetësisë merret me rehabilitimin psikik të atyre që kanë dashur të bëjnë vetëvrasje.

“Ministria e Shëndetësisë, në kuadër të projekteve të veta për këtë vit, parashikon edhe mbledhjen e të dhënave të vetëvrasjeve, duke vazhduar edhe me programe të tjera të trajtimit të të prekurve me sëmundje të shëndetit mendor”.

Sidoqoftë, edhe gjatë vitit të kaluar statistikat tregojnë një nivel të lartë të numrit të vetëvrasjeve dhe tentim-vetëvrasjeve.

Të dhënat e Policisë së Kosovës thonë se gjatë vitin 2009 janë raportuar 60 raste të vetëvrasjeve dhe 255 tentim-vetëvrasje. (rfe)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›