E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherr me thika mes gjimnazistësh, tre të plagosur

ELBASAN/ Dy grupe nxënësish të gjimnazit "Anastas Çakalli" në Kuqan janë grindur me armë të ftohta për një shikim vëngër

Burime nga policia bëjnë të ditur se shkaqet ishin banale, ndërsa janë ndaluar gjashtë të rinj nga Elbasani

ELBASAN - Një sherr mes të rinjve të një gjimnazi në fshatin Kuqan, vetëm 6 km larg qytetit të Elbasanit, ka përfunduar me tre të plagosur. Për këtë ngjarje janë ndaluar 6 personat që dyshohet se kanë shkaktuar plagosjen e tre 17-vjeçarëve, të cilët kanë përfunduar në spital dhe pas marrjes së mjekimit janë larguar në banesat e tyre.

Grindja

Ngjarja është regjistruar rreth orës 11:30 në oborrin e shkollës "Anastas Çakalli" në Kuqan kur dy grupe të rinjsh janë grindur me njëri-tjetrin duke përfunduar deri në tehun e thikës.

Burime të policisë bëjnë të ditur se gjithçka ka nisur pasi një adoleshent ka akuzuar tjetrin pse e kishte parë me inat. Por debati ka vazhduar derisa me dy të rinjtë janë rreshtuar shokët respektivë.

Kështu, me njërin prej djemve janë rreshtuar ata që vinin nga Elbasani për të vazhduar shkollën në Kuqan dhe në anën tjetër tre të rinj vendas. Kështu, për pasojë 6 adoleshentë kanë sulmuar tre përkatësisht 17-vjeçarë dhe të afërm me njëri-tjetrin.

Skena është parë nga gjimnazistët që nuk kanë pasur asnjë mundësi tjetër veçse të njoftojnë policinë.

Të dëmtuarit A.S, J.S, A.S me banim në Kuqan janë transportuar në spitalin kirurgjik me plagë të ndryshme në trup. Menjëherë sapo kanë mbërritur në spital kanë marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia

Agjentë policie kanë mbërritur me shpejtësi në shkollën "Anastas Çakalli" ku u regjistrua ngjarja dhe brenda një kohe të shkurtër kanë kapur dhe shoqëruar të dyshuarit si autorë të kësaj ngjarje.

Gjashtë të rinjtë 17-vjeçarë, të gjithë me banim në Elbasan, janë duke u pyetur nga agjentët e policisë për shkaqet e kësaj ngjarjeje. Ende nuk është vendosur ndalimi, por sipas policisë disa prej tyre do të përgjigjen për "plagosje me dashje".

Ata kanë thënë se sherri është nisur nga të rinjtë nga Kuqani, por ende nuk bëhen të ditur emrat e të rinjve që kanë pasur thikat me vete. Pasi të përcaktohen autorët, ata do të kenë më shumë penalizime nën akuzën plagosje me dashje.

Ndërkohë, për të rinjtë masa pritet të marrë edhe shkolla e mesme "Anastas Çakalli". Shkolla shumë afër qytetit frekuentohet jo vetëm nga vendasit dhe fshatrat përreth, por edhe nxënës që vijnë nga qyteti që për një arsye apo një tjetër mbarojnë arsimin e mesëm në fshat.

Ndërkohë, mësohet se gjendja e tre të plagosurve, sipas burimeve spitalore, është përmirësuar dhe në mbrëmje pasi janë mjekuar, janë kthyer pranë familjeve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›