E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrau për 500 euro, kapet pas katër vjetësh shqiptari

U dënua me 20 vjet burg
 

 
Policia italiane ka arrestuar të dyshuarin, i cili kishte ndryshuar pamje për t’iu shmangur autoriteteve. Hetuesit thanë se vrasësi i muratorit menjëherë pas ngjarjes ishte larguar nga Italia 
 
 
Artan CENA
FIRENCE - Një i kërkuar shqiptar për vrasje është vënë në pranga nga autoritetet italiane vetëm pas katër vitesh, pasi gjatë kësaj kohe, i dënuari me 20 vjet burg në mungese, kishte ndryshuar pamje për t’i shpëtuar policisë. Sipas mediave italiane, i arrestuari është 27-vjeçari Mariglen L., i cili akuzohet për vrasjen e Besnik Gjatës në vitin 2006 në Itali. Lajmi është bërë i ditur nga burime të policisë italiane, të cituara nga media, të cilat thonë viktima kishte qenë emigrant shqiptar në Empoli dhe gjithçka kishte ndodhur për një borxh prej 536  eurosh, që ai i kishte autorit. Për të mos u arrestuar, i kërkuari kishte gjetur një mënyrë të thjeshtë, duke ndryshuar pamjen e tij. Mediat italiane thonë se 27-vjeçari kishte shtuar rreth 30 kg gjatë këtyre tre viteve, si dhe kishte prerë flokët për t’u bërë i panjohur. Por pavarësisht ndryshmeve në pamje, policia e Firences edhe kështu ka arritur të njohë dhe të arrestojë shqiptarin 27-vjeçar, i akuzuar për një vrasje për konkurrencë gjatë një sherri. Pavarësisht se ishte dënuar me 20 vjet burg për këtë krim, ai që në dhjetor të vitit 2006 ka mundur t’i shpëtojë arrestimit.
Ngjarja
Më 26 nëntor të vitit 2006, ai ka qenë pjesëmarrës në një përleshje për larje hesapesh, ku janë përdorur thika dhe shkopinj. Gjatë përleshjes, shqiptari 38-vjeçar Besnik Gjata ka marrë një plagë vdekjeprurëse nga thika e të arrestuarit. Thika e ngulur në fyt i kishte sjellë vdekjen e menjëhershme, pavarësisht se autori ka mundur të largohet. Madje, për një kohë të gjatë mbuloi edhe gjurmët për të mos u gjetur nga policia, duke gjetur një vend të sigurt për t’u fshehur, që sipas policisë italiane mund të ketë qenë jashtë vendit.
Sot është 27 vjeç dhe karabinierët kanë bërë të mundur që të zbulojnë se i riu, që ishte dënuar në mungesë me plot 20 vjet burg, ishte korrier për llogari të një firme shpërndarjesh në Empoli. Ndërsa në kohën e vrasjes ishte murator, ashtu si Besnik Gjata, 38 vjeç, të cilit i preu fytin, për shkak se i kishte një borxh prej 536 eurosh. Pas vrasjes, sipas karabinierëve, autori, atëherë 23 vjeç, ishte arratisur jashtë Italisë, ku kishte gjetur dokumente të reja.
Hetimi
Katër vjet pas ngjarjes, ku i vrarë mbeti një shqiptar, hetuesit kishin nuhatur se vrasësi gjendej sërish në zonë. Madje mësohet se për ta futur në kurth, policët i janë afruar, duke e thirrur me emrin e tij të vërtetë, Mariglen. Për vrasjen e Besnik Gjatës, policia kishte vënë në pranga tre persona, ndërkohë që i katërti që është arrestuar një ditë më parë kishte mundur të largohej. Por që prej kohës që kishte ndodhur vrasja, gjykata kishte nisur procesin ndaj tre të arrestuarve dhe të larguarit. E pikërisht në muajin shtator të vitit të kaluar, ajo kishte dhënë vendimin, duke dënuar me 20 vjet burg të arrestuarin e djeshëm, ndërkaq ka dhënë vendime edhe për tre personat e vënë në pranga që në momentin e parë. Arrestimi i tij është bërë pas disa ditësh hetime. Efektivët e bërthamës operative të Scandiçit, pasi e kishin ndjekur për disa ditë dhe pasi ishin siguruar se personi, i cili kishte prerë flokët dhe ishte shëndoshur me më shumë se 30 kilogramë ishte i kërkuari, i kanë vënë prangat. Pas arrestimit ai është dërguar në një burg në Firence, ku do të njihet me vendimin e dhënë ndaj tij.
 
 
 
 
Të arrestuarit u kapën pranë një qendre tregtare
 
Katër në pranga, akuzohen për vjedhje automjetesh në Tiranë
 
TIRANë - Katër persona janë vënë në pranga gjatë dy ditëve më parë nga Policia e Tiranës, pasi akuzohen për disa vjedhje të ndodhura në kryeqytet. Burime zyrtare thanë se arrestimet e dy adoleshentëve dhe dy burrave janë bërë nga efektivët e Komisariatit Nr. 6 për vjedhje makinash të mbetura në tentativë. Sipas policisë, janë kapur në flagrancë dy adoleshentët, me inicialet D. Q., 15 vjeç dhe D. K., 17 vjeç. Burimet zyrtare thanë se arrestimi i tyre është bërë, pasi në parkingun e qendrës tregtare “City Park”,janë kapur në flagrancë nga rojet e sigurisë, duke tentuar të vjedhin automjetin tip “Benz”, me targë TR 3307 B, në pronësi të një shtetasi. Pas ndalimit të tyre janë kryer veprimet procedurale, ku në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një çelës mjeti dhe një kaçavidë. Gjithashtu, po nga efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 6, dy ditë më parë realizuan arrestimin në flagrancë të Genci Jasharit, 35 vjeç dhe Ismail Qerimi, 59 vjeç, respektivisht me banim në Tiranë. Arrestimi i tij u tyre u krye, sepse në rrugën “3 Dëshmorët” në Tiranë, dyshohen se kanë vjedhur automjetin tip “Ford” fugon, me targë TR 3875 G, në pronësi të një qytetari. Pas vënies në pranga, policia ka bërë gati dosjet për katër personat, dy adoleshentët dhe dy burrat, dhe materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të “vjedhjes e kryer në bashkëpunim” dhe “vjedhjes së mbetur në tentativë”.
 
 
 
Vodhi biletarinë, ndalohet i mituri
KAVAJë - Një i mitur është vënë në pranga nga policia, pasi dyshohet se është autor i disa vjedhjeve të ndodhura ditët e fundit. Burime zyrtare thanë se nga policia, dy ditë më parë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u krye arrestimi në flagrancë i shtetasit S. T., 14 vjeç, lindur në fshatin Manzë të Durrësit. Arrestimi i tij u bë, pasi u dokumentua si autor i disa vjedhjeve. Kështu, ai është i akuzuar që në datën 15 janar, ku dyshohet se ka vjedhur me thyerje biletarinë e stacionit të trenit në Rrogozhinë. Një ditë më parë, në datën 14 janar, gjatë orëve të natës dyshohet se ka realizuar vjedhjen me thyerje të dyqanit ushqimor, i ndodhur në Rrogozhinë, në pronësi të një qytetari. Ndërkaq, mbi të rëndon edhe thyerja e xhamisë së qytetit të Rrogozhinës, vjedhje e ndodhur më datë 8 dhe 9 janar 2010. Dosja me materialet procedurale i ka kaluar Prokurorisë së Kavajës, për veprën penale të “vjedhjes”.
 
 
Arrestohet 18-vjeçari, shpërndante drogë
TIRANë - Një i ri është vënë në pranga në flagrancë, pasi kishte me vete një sasi lënde narkotike të llojit kanabis sativa. Burimet zyrtare nga policia thanë se dje, efektivët e Sektorit të Luftës Kundër Narkotikëve kanë bërë të mundur ndalimin në flagrancë të Hasim Osmanit, 18 vjeç, lindur dhe banues në Selitë. Sipas policisë, ndalimi i tij, është bërë nga shërbimet e Komisariatit Nr. 2, Tiranë, në afërsi të një lokali në kryeqytet, ku pas një kontrolli atij iu gjetën dy qese farmacie me bimë me ngjyrë jeshile me erë dhe karakteristika si ato të bimëve narkotike të llojit kanabis sativa. Pas arrestimi, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan sasia prej 3.4 gramësh bimë e dyshuar narkotike e llojit kanabis sativa. Dosja me materialet do t’i kalojnë prokurorisë në gjendje të lirë, për veprën penale të “prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotikëve”.
 
 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›