Edhe PDK mbështet përsëritjen e zgjedhjeve
Ndërkohë Aleanca Kosova e Re, ka kërkuar që zgjedhjet të përsëriten edhe në dy komuna tjera, Gjakovë e Mitrovicë, ku sipas kësaj partie ka pasur manipulim të votave. Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi tha sot se e njohin vendimin e organit zgjedhor të ankesave për përsëritje të zgjedhjeve në Prizren, Gjilan dhe Lipjan. Ai shprehu bindjen se, edhe pas rivotimit, PDK-ja do të dalë fituese në këto komuna, ndërsa kërkoi që vëzhguesit vendorë dhe ndërkombëtarë të vrojtojnë nga afër këtë proces. Edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, përmes nënkryetarit të saj, Lufti Haziri, e ka mirëpritur vendimin e Komisionit për Ankesa dhe Parashtresa që të ketë rivotim në tri komuna, duke e cilësuar atë në pajtim me shqetësimet e LDK-së. Lidhja Demokratike ka kërkuar që zgjedhjet në Prizren, Gjilan dhe Lipjan të mbahen pas Vitit të Ri. Pas shqyrtimit të një sërë ankesash të partive politike, Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa udhëzoi dje KQZ-së që të përsërisë votimet në këto tri komuna, ku ishin konstatuar parregullsi serioze dhe mashtrime të qëllimshme. Në arsyetimin e këtij organi, thuhet se anulimi i rezultateve në rreth 50 përqind të vendvotimeve, do të ishte përgjigje joadekuate për parregullsitë e bëra dhe vjedhjet masive të votave. Vendimi për përsëritjen e votimeve vetëm në tri komuna, është kritikuar nga Aleanca Kosova e Re. Nënkryetari i saj, Ibrahim Makolli tha se rivotim duhet të ketë edhe në Gjakovë dhe në Mitrovicë, ku sipas tij, kandidatëve të AKR-së, u ishin vjedhur votat.