E Shtunë, 31 Tetor 2026

KZAP sugjeron rivotime në Prizren, Gjilan e Lipjan

Paneli i KZAP-it, i përbërë nga Osman Tmava, kryesues, Ymer Hoxha dhe Muharrem Shala, duke vendosur në lidhje me ankesat e parashtruara për parregullsitë në procesin e votimit për rrethin e dytë për zgjedhjen e kryetarëve të komunave të Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, mori vendim që të pranohen ankesat e subjekteve politike. Kryetari i KZAP-it, Tahir Rrecaj, ka thënë se arsyet pse kanë marrë një vendim të tillë është sepse në bazë të fakteve të prezantuara nga palët ankuese, si dhe nga hetimet që janë kryer nga ana e komisionit janë konstatuar një varg parregullsish, dhe se mund të ketë pasur mashtrime, falsifikime dhe gabime, të cilat e bëjnë procesin zgjedhor për këto tri komuna jo të vlefshëm.“Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa para disa minutash ka marr një vendim me të cilin ka shqyrtuar 43 ankesa në bazë të rregullave dhe procedurave të KZAP-it, ne kemi mundësi që ankesat ku kanë të bëjnë me çështje të njëjta ose të ngjashme mund të shqyrtohen njëkohësisht dhe të merret një vendim ashtu që për 43 ankesat të cilat kanë të bëjnë kryesisht me komunën e Prizrenit, Gjilanit dhe Lipjanit, ne kemi vendos një vendim. Komisioni i ka pranuar këto ankesa dhe në bazë të ligjit mbi zgjedhjet e përgjithshme dhe zgjedhjet lokale në Kosovë, ka udhëzuar Komisionin Qendror Zgjedhor, të urdhërojë përsëritjen e votimit në komunën e Prizrenit, Gjilanit, dhe të Lipjanit”, ka thënë Rrecaj, transmeton KosovaPress.Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së në komunën e Prizrenit kandidati i PDK-së Ramadan Muja dhe ai i LDK-së Hanefi Muharremi kanë përqindje të barabartë të votave 50:50, derisa në Lipjan dhe Gjilan, po sipas rezultateve preliminare, kanë fituar kandidatët e PDK-së Shukri Buja, përkatësisht Qemajl Mustafa. Komisioni Qendror Zgjedhor, gjatë ditës do të mbajë një mbledhje, ku pritet të diskutohet rreth numërimit të votave me kusht për komunën e Prizrenit. /express/                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›