Moti i keq, Emergjencat Civile: Situata nën kontroll
MB-ja siguron se situata e përgjithshme është nën kontroll, ndërsa rrugët nacionale janë të kalueshme. Forcat e qarkullimit rrugor, të mbështetura nga ato të rendit, janë angazhuar për disiplinimin e trafikut dhe shmangien e aksidenteve në rrugë. Ndërsa, drejtoritë rajonale të mirëmbajtjes së rrugëve janë duke punuar për hedhjen e skorjes në akset rrugore me dëborë. Në Qarkun e Shkodrës situata paraqitet normale dhe të gjitha akset rrugore janë të kalueshme. Në Pukë, akset rrugore janë të kalueshme, por në disa segmente si Qafë Mali -Qafë Shllak, automjetet duhet të lëvizin me zinxhirë. Në Pukë, situata më e rënduar paraqitet në komunën e Iballës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 58 centimetra. Në Kukës rrugët janë të kalueshme. Në disa segmente makinat duhet të lëvizin me zinxhirë. Dëbora e madhe ka shkaktuar probleme në disa fshatra të rrethit të Kukësit si Arren, Kalith, Grykëcaj dhe Zapod. Në rrethin e Tropojës, të bllokuara nga dëbora janë fshatrat Valbonë dhe Lekbibaj. Reshjet e shiut kanë krijuar dëmtime në urën e Puthit në Burrel, megjithatë ura është e kalueshme në njërën anë , ndërsa po punohet për riparimin e saj.