Edhe Rugova kalon në LDK

Pas kryetarit të degëve të LDD-së për Prishtinë, edhe nënkryetari i deri para pak kohësh i LDD-së, Naser Rugova, ka njoftuar se i bashkohet Lidhjes Demokratike të Kosovës.
"Në përputhje me deklaratën e z.Musli Mehaj, Kryetarit të degëve të LDD-së për Prishtinë, ju informoj juve dhe opinionin e gjerë se prej sot unë, Naser Rugova, ish nënkryetar i LDD-së, jam votues dhe anëtar i thjeshtë i Lidhjes Demokratike të Kosovës.Njëherësh dëshiroj të theksoj se kthimi im dhe i kolegëve, bashkëpunëtorëve, miqve të mi dhe të atyre që më përkrahin në këtë hap bëhet në përputhje me përcaktimet tona parimore për aktivitet politik në gjirin natyror ku kemi vepruar për shumë vite", thuhet në deklaratën e Rugovës, publikuar në profilin e tij në Facebook.
"Me 2007 dolëm nga LDK-ja e cila atëherë ishte në pushtet dhe tani me 2011 kthehemi në LDK e cila sipas të gjitha gjasave do të jetë në opozitë. Dëshirojmë të besojmë se me angazhimin tonë si anëtar dhe veprimtar të thjeshtë, të barabartë me gjithë të tjerët, do ta japim kontributin tonë që Lidhja Demokratike e Kosovës, si bosht i veprimit të gjithë atyre që besojnë në një të djathtë të sinqertë dhe të fuqishme, të kthehet në pushtet më e fortë se kurrë më parë", ka theksuar Rugova.
Degët e LDD-së në Prishtinë i bashkohen LDK-së
Kryetari i të gjitha degëve të Lidhjes Demokratike të Dardanisë në komunën e Prishtinës dhe njëherësh këshilltar në Asamblenë e Prishtinës, Musli Mehaj ka njoftuar se po i bashkohen Lidhjes së Demokratike të Kosovës.
“Duke u bazuar në realitetin politik të krijuar pas zgjedhjeve të 12 Dhjetorit dhe orientimit të elektoratit për krijimin e dy blloqeve politike, dëshirës dhe përcaktimi tonë që të rreshtohemi përkrah bllokut të djathtë, ne anëtarët e derisotshëm të LDD në kryeqytet me dëshirën dhe sinqeritetin më të madh kemi vendosur që t’i bashkohemi subjektit politik më të vjetrit dhe më të madhit në Republikën e Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosoves, të udhëhequr nga lideri Prof. Dr. Isa Mustafa”, thuhet në një deklaratë të Mehajt.
Ai ka ftuar simpatizantët e LDD-së në Deçan, Skenderaj dhe Drenas që më 9 janar të votojnë për LDK-në.
“LDK-në e konsiderojmë si parti e aderimit tonë natyror pasi që kjo parti 21 vjet më parë u themelua nga presidenti ynë historik Dr. Ibrahim Rugova. Me këtë rast ftojmë tërë anëtarësinë dhe simpatizantët që aktualisht janë të shpërndarë në disa parti tjera, si dhe atyre që nuk janë të angazhuar në ndonjë parti tjetër, që t’i bashkangjiten Lidhjes Demokratike të Kosovës. Koha e transfereve politike ka përfunduar dhe kjo lëvizje duhet të bëhet bazuar në parime politike dhe në vlerësimin individual dhe me ndërgjegje të pastës të secilit anëtar dhe simpatizant. Njëherit shfrytëzojmë rastin të ftojmë simpatizantët e LDD-së në Deçan, Skenderaj dhe Drenas që me 9 Janar të votojnë për LDK-në”, thuhet më tej në deklaratën e Mehajt.