E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe SHBA kundër Spahisë: Nxit dhunë ndaj homoseksualëve

Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton

Pas Bashkimit Europian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehin shqetësimin e tyre lidhur me deklaratat e Ekrem Spahisë për paradën e homoseksualëve. Në një deklaratë për mediat të shpërndarë nga zyra e Ambasadës së SHBA në Tiranë, Uashingtoni përshëndet qëndrimin e Kryeministrit Berisha për këtë çështje. Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri i bashkohet bashkësisë ndërkombëtare për të dënuar retorikën që nxit trajtimin diskriminues apo dhunën kundrejt individëve lesbikë, gay, biseksualë dhe transgjinorë. Mirëpresim deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha, Avokatit të Popullit, Igli Totozani, dhe komisioneres Kundër Diskriminimit, Irma Baraku, që përkrahin të drejtat e individëve LGBT si të drejta të njeriut dhe mbështesin historinë e Shqipërisë me tolerancën, thuhet në reagimin e Ambasadës. Sekretarja e Shtetit, Hilari Klinton, ka theksuar se përbën shkelje të të drejtave të njeriut kur njerëzit rrihen apo vriten për shkak të orientimit të tyre seksual, apo sepse nuk janë konform normave kulturore se si duhet të duken apo të sillen burrat dhe gratë. Shtetet e Bashkuara i konsiderojnë të drejtat e bashkësisë LGBT si të drejta themelore të njeriut. Sipas njoftimit të Ambasadës Amerikane: Besojmë që deklaratat e qeverisë shqiptare ofrojnë një mundësi për diskutime të hapura lidhur me të drejtat universale të njeriut dhe sfidat me të cilat përballet bashkësia LGBT në Shqipëri. Mbështesim përpjekjet e shoqërisë civile, bashkësisë ndërkombëtare, organizatave LGBT, si dhe të qeverisë për ta zhvilluar një diskutim të tillë. Në të njëjtën kohë bëhet e ditur se ambasadori u takua me aktivistë LGBT, me Avokatin e Popullit, me anëtarë të bashkësisë ndërkombëtare për të ritheksuar përkushtimin e Shteteve të Bashkuara ndaj mbështetjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri. Mirëpresim përpjekjet e tyre për të sjellë ndryshime pozitive e së bashku do të vazhdojmë punën me shoqërinë civile, qeverinë e median në përpjekje për të promovuar këto vlera bazë e themelore, përfundon njoftimi i Ambasadës.

Reagon PLL
Pas qëndrimit të BE-së, ka reaguar dje sërish Artan Tujani, sekretari i Përgjithshëm i PLL-së, i cili ka thënë se krahas shqetësimit të arsyeshëm që shprehet në deklaratën e Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, me keqardhje vëmë re se ka një nxitim të habitshëm për tiu referuar Partisë Lëvizja e Legaliteti dhe kryetarit të saj, z. Spahiu. Ky referim është bërë në kuadër të një mjegullnaje mediatike dhe kur ndaj z. Spahiu është bërë një kallëzim penal. Thënë ndryshe, Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri ka reaguar duke iu referuar burimeve të pasigurta e të paprovuara dhe një deklaratë të tillë e konsiderojmë presion ndaj organeve të drejtësisë shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›