Idrizi: Dule, një provokator në panik. Të marrë leksione historie për Çamërinë

Shpetim Idrizi / Foto arkiv
Kreu i PDIU-së ka reaguar sot ndaj deklaratave të kryetarit të PBDNJ-së, Vangjel Dule, në lidhje me Çamërinë.
Në një deklaratë për shtyp, Shpëtim Idrizi e cilëson Dulen si një provokator që përfaqëson interest e errëta të Greqisë. Sipas tij, deklarata e Dules ka ardhur si pasojë e panikut në të cilin ai gjendet pas mbështetjes së gjerë që ka gjetur çështja çame.
Me një numër votash gjithmonë e në tkurrje, ky njeri është në panik nga mbështetja elektorale që mori kudo partia jonë që përfaqëson popullin shqiptar të Çamërisë dhe ka ditur ta shndërrojë çështjen çame në çështje të të gjithë shqiptarëve. Ky njeri është provokator përsëritës, që synon të ngjallë zemërim, urrejtje, fërkime midis pjesëve të ndryshme të popullsisë shqiptare. Çdo dalje e tij në ekran, si shpalosës i tezave të egra, fyese për popullin shqiptar të Çamërisë dhe shqiptarët në përgjithësi, irriton. Me manovrat, shitjet e vizave me konsuj xhambazë, me shkatërrues varresh, ky njeri e ka tretur gjithnjë e më shumë partinë që i urti Vasil Melo themeloi dikur. Si pasojë, ky njeri nuk përfaqëson askënd në Shqipëri. Ky njeri përfaqëson interesat e qarqeve të errëta të vendit fqinjë, tha Idrizi.
Sipas tij, Dules i nevojiten leksione historie për çështjen çame.
Zoti Dule do të ishte mirë të merrte disa leksione historie përpara se të fliste për të. Nëse do ta bënte, do të dinte mjaft mirë se termi Thesproti është ringjallur në Greqi as më shpejt e as më vonë sesa në vitin 1937. Ndërkaq, termi Çamëri, që vjen nga lashtësia, nëpërmjet lumit legjendar Thiamis, ka qenë i përdorur zyrtarisht edhe nga vetë Greqia deri në atë vit. Dhe këtë nuk e themi vetëm ne, e thonë edhe shkencëtarët grekë, përfshi ministrin aktual të Arsimit në Greqi, gjuhtarin Jorgos Babinjotis, në fjalorët e tij. Në pikëpamje të toponomastikës, Çamëria është një toponim që ekziston, dhe në greqisht, dhe ka studiues grekë që e shpjegojnë origjinën me toponime të tjera të lumenjve, të viseve të bukura të asaj krahine. Europa është e mbushur me raste, kur një qytet apo një krahinë i thuhet në menyra të ndryshme.
Dule: Çamëria s’ka ekzistuar. Tahiri: Eja shëtite
Dashamir Tahiri, deputet i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet i është kundërpërgjigjur deklaratës së Vangjel Dules. Kreu i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut një ditë më parë deklaroi se nuk ka pasur në kohërat e demokracisë në shtetin grek asnjë krahinë me emrin Çamëri, asnjëherë, me përjashtim të periudhave kur ka qenë e pushtuar.Çamëria tha ai është toponim që nuk ekziston. Në këtë mënyrë Dule argumentojë vendimin e shteti grek për të mos lejuar hyrjen në territorin e saj të shtetasve shqiptar që kanëtë shënuar në pasaportë si vendlindje Çamëri.
Në reagimin e tij Tahiri shprehet se Dule duhet të shohë tabelën që thotë Mirësevjen në Çamëri. ”Nuk më ka mbetur gjë tjetër me Dulen, do ta marr për veshi dhe ta çoj atje, ku është një tabelë që thotë “Mirësevjen në Çamëri”. Ta shëtis në të gjithë Çamërinë, zotin Dule ta çoj deri te Tre gurët e zi në Prevezë ku të shikojë të gjitha fshatrat e djegura, xhamitë ku janë akoma, varret e të parëve tanë. Dhe shtëpinë e gjyshit tim”, është shprehur deputeti i PDIU-së. /F.S/