Edhe Santorum në garë për Shtëpinë e Bardhë

Ish-senatori amerikan, Rick Santorum, është republikani i fundit që hyri zyrtarisht në garën presidenciale për Shtëpinë e Bardhë të vitit 2012, duke iu bashkuar kështu një numri të kandidatëve republikanë, që shpresojnë të fitojnë kundër presidentit Barack Obama.
Duke folur në shtetin e tij të Pennsylvanisë, Santorum falënderoi përkrahësit dhe tha se po kandidon, sepse ka guxim të luftojë për Amerikën.
Ai tha se presidenti Obama ka bërë një punë jo të mirë në administrimin e vendit, madje e akuzoi Obaman se ka dëmtuar ekonominë dhe se ka një politikë të jashtme të dobët.
Santorum është konservator për sa i përket çështjeve shoqërore.
Ai u shtohet radhëve të republikanëve të tjerë, që së pari shpresojnë të sigurojnë emërimin e partisë, për t’u ndeshur pastaj në nëntor të vitit 2012 me presidentin Obama.
Kandidatët e tjerë janë ish-guvernatorët e shteteve Mitt Romney dhe Tim Pawlenty, ish- kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Newt Gingrich, dhe anëtari i Dhomës së Përfaqësuesve, Ron Paul, nga Teksasi.