E Shtunë, 31 Tetor 2026

E. Coli KE 150 mln euro per fermeret e prekur

Komisioni Europian propozon 150 milionë euro ndihmë për fermerët, produktet e të cilëve janë goditur nga epidemia e bakterit të Esheria Coli. E në fakt, ndërsa specialistët ende nuk kanë gjetur asnjë gjurmë të bakterit edhe në fermën ku mendohej të ishte vatra e epidemisë, dhe filizat e sojës, ashtu sikundër trangujt e importuar nga Spanja kanë dalë të pastër, prodhuesit e zarzavateve të freskëta njohin vetëm humbje.

Paniku ka pushtuar njerëzit nga bakteri që ka shkaktuar 22 viktima dhe ka sëmurur më shumë se 2400 persona.
Në këtë konfuzion, ministrat e Bujqësisë së vendeve të BE-së janë mbledhur për të diskutuar krizën në Luksemburg.
Komisioneri i BE për shëndetësinë, Xhon Dalli tha se epidemia ishte e limituar në Gjermaninë e Veriut dhe nuk kishte nevojë për masa kontrolli mbarëeuropiane.

Ai gjithashtu paralajmëroi autoritetet gjermane të mos përmendin më emra zarzavatesh si shkaktare të mundshme pasi informacionet e paprovuara kanë shkaktuar panic dhe kanë goditur rëndë fermerët. Por 150 milionë euro duket të jetë më shumë nisja e një pakete ndihme, pasi fermerët sërish nuk do të mbulojnë humbjet e pësuara.

Spanja ka ërcënuar të nxjerrë në gjyq Gjermaninë nëse nuk i mbulohen 100 për qind dëmet e shkaktuara fermerëve të saj, dhe parashikimi vetëm për ta shkon në 200 milionë euro në javë. Eurodeputeti spanjoll Francisco Sosa-Wagner ndërsa mbante një trangull në dorë, deklaroi: Duhet t’i kthejmë trangullit nderin e humbur “.

Fermerët gjermanë thonë se kanë 80 milionë euro humbje, dhe kompensimi nuk do të kënaqë askënd e në të njëjtën kohë do të krijojë një barrë të re për buxhetin e BE-së, që ka nisur programin e kursimeve.

Juli Prifti

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›