Edhe Tanja Fajon konfirmon 2 qershorin si datën për marrjen e vendimit
Pas takimit me dyer të mbyllura për median, raportuesja për vizat, Tanja Fajon, publikoi një komunikatë për shtyp, ku mbështetet liberalizimi i vizave në fillim të vjeshtës, duke vlerësuar se kriteret e papërmbushura ende duhet të realizohen, deri atëherë, përkatësisht nga autoritetet e Tiranës dhe Sarajevës.
“Pres që Komisioni Europian të shpërndajë propozimin legjislativ për të dy vendet jo me vonë se fillimi i qershorit. Por, shpejtësia e mëtejshme për finalizimin e procesit është ende në duart e autoriteteve të këtyre dy vendeve. Ata duhet të sigurojnë në kohën e duhur se janë në gjendje t’u përgjigjen shqetësimeve që mbeten, veçanërisht për zbatimin e reformave në fushën e ligjit, rendit e sigurisë së brendshme”, u shpreh Fajon.
Eurodeputetja nënvizoi se Komiteti për çështjet e Lirisë, Sigurisë dhe Drejtësisë në Parlament ka mbështetur liberalizimin e vizave për Shqipërinë dhe Bosnjën, si dhe trajtimin si çështje ‘urgjente’ sikundër është angazhuar dhe nëntorin e kaluar.
“Bosnja veçanërisht meriton sinjal pozitiv, tani më shumë se kurrë afër Brukselit”, thotë më tej, raportuesja Tanja Fajon.