E Diel, 1 Nëntor 2026

Instituti i të përndjekurve tashmë në varësi të Ministrisë së Drejtësisë

Miratohet projektligji

Instituti i Integrimit të të Përndjekurve, sipas një projektligji të propozuar së fundi nga qeveria do të jetë në varësi të Ministrit të Drejtësisë.
Amendimet e propozuara në ligjin “Për Institutin e Integrimit të të Përndjekurve”, që synojnë ndryshimin e varësisë së këtij Instituti nga Këshilli i Ministrave tek ministri i Drejtësisë, bëhen në kuadër të liberalizimit të funksioneve të institucioneve të varësisë të Kryeministrit, në mënyrë që përmbushja e detyrave të tyre të jenë më afër fushës së veprimtarisë së institucioneve përkatëse.
Sipas relacionit shoqërues të p/ligjit, që ka ardhur për shqyrtim në Kuvend, funksionimi i Institutit pranë ministrit të Drejtësisë do të ndikonte në një bashkërendim më të mirë të punës në kuadër të integrimit të ish-të përndjekurve politikë në shoqëri, pasi në varësi të ministrit të Drejtësisë funksionon dhe sektori i trajtimit të kërkesave për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve dhe ish-të përndjekurve politikë.
P/ligji parashikon që struktura dhe rregullorja e këtij instituti të miratohen nga ministri i Drejtësisë, i cili emëron dhe shkarkon edhe drejtorin e këtij instituti, ndërsa buxheti i tij do të miratohet si zë i veçantë brenda buxhetit të ministrit të Drejtësisë.
Instituti i Integrimit të Përndjekurve është një organizëm shtetëror, i krijuar pranë Këshillit të Ministrave, sipas ligjit të miratuar në tetor 1997, me qëllim ndjekjen e çështjeve që lidhen me integrimin në jetën e shoqërisë shqiptare të ish-përndjekurve politikë nga regjimi komunist.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›