E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe Van Rompuy deklaron: Statusi është pranë (por kjo tërbon Sali Berishën)

hermanEdhe presidenti i Bashkimit Europian, Herman Van Rompuy është i bindur se marrja e statusit kandidat është shumë pranë.

Në një konferencë të përbashkët me kryeministrin Edi Rama, që ka takuar drejtuesit më të lartë në Bruksel brenda pak orësh, Van Rompuy tha se duhet kujdes me reformat.

Presidenti Van Rompuy u shpreh se: progresi varet nga Shqipëria dhe puna e saj në këtë drejtim. Statusi i vendit kandidat po bëhet gjithmonë e më shumë një realitet. Ju inkurajoj që të vazhdoni në këtë rrugë. Nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e Shqipërisë është brenda BE.

Kryeministri Rama u shpreh se ndjehej i nderuar që ndau me Presidenti Van Rompuy kënaqësinë për zgjedhjet në Shqipëri, për faktin që Shqipëria më së fundi ishte e aftë të kryejë zgjedhjet që shqiptarët meritojnë.

Kryeministri Edi Rama dhe Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian, Herman Van Rompuy, janë ndalur në takimin e tyre edhe në kontributin e Shqipërisë në rajon.

Presidenti i Këshillit të Bashkimit Evropian theksoi se: mirëprita faktin që kryeministri theksoi se Shqipëria do të vazhdojë të investohet për kufij të sigurt në rajon dhe gjithashtu vlerësoj synimin e tij për ti thelluar më tej marrëdhëniet me të gjithë vendet fqinje.

Në këtë kuadër Kryeministri Rama tha se: do të punojmë shumë të gjithë së bashku, me shqiptarët në Kosovë, me serbët, me malazezët, maqedonasit, boshnjakët, sigurisht me kroatët si anëtarë të rinj, me grekët si anëtarë të vjetër të Bashkimit në rajon, për të forcuar bashkëpunimin dhe për ti dhënë më shumë kuptimi të ri të këtij momentumi të ri paqeje duke e transformuar në një zhvillim ekonomik, social dhe kulturor.

Kryeministri Edi Rama ka garantuar Presidentin Van Rompuy që fryma konstruktive, e cila ishte në diskutimin e parë të parlamentit të ri do të forcohet dhe nën drejtimin e ri të parlamentit.

Të gjitha partitë do të kenë mundësinë të shprehen në një mënyrë të re dhe nën rregulla dhe procedura të reja të aprovuara me konsensus.

Por kjo ka tërbuar ish- kryeministrin Sali Berisha, që priti një mandat, plot katër vjet, dhe nuk e mori statusin, duke e ngrirë integrimin e vendit në një mënyrë të paprecedent në historinë e BE.

Në një status në FB, Berisha duket se shpreson që Shqipëria të mos e marrë statusin tani në dhjetor.

Brukseli ka kushte dhe mosbesim për Edvinin, mjerisht edhe për integrimin.

Kryetari i Parlamentit Europian, Schulz tha se statusi mund të merret para zgjedhjeve evropiane, d.m.th nga pranvera. Kurse në Komisionin e Jashtëm, Jelko Kacin e pyeti Ramën se si do e luftojë ai korrupsionin në Partinë Socialiste. Me fjalë të tjera, PS është parti e korruptuar.

Udhëheqja e Brukselit ka ndjenja miqësore për Shqipërinë, por e dinë se Rama është politikani i vetëm në Europë që për 8 vite me radhë bëri gjithçka për të penguar integrimin e vendit të tij në BE. Rama dhe integrimi nuk pajtohen, shkruan Berisha./ep

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›