Edhe Washingtoni “në duart” e Romneyt

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Romney ka arritur të grumbullojë 36 për qind të totalit, i ndjekur nga rivalët Rick Santorum dhe Ron Paul, me nga 25 për qind secili. I katërti në garë, ish-kryetari i Kongresit, Newt Gingrich, fitoi 14 për qind të preferencave.
Kjo fitore i jep një besim të shtuar Romneyt, favoritit për t’u shndërruar në rivalin zyrtar të presidentit Barack Obama, përpara “Super të martës” së 6 marsit, në të cilën do të votohet njëkohësisht në dhjetë shtete.
Në Washington, mediat amerikane raportuan për një pjesëmarrje veçanërisht të lartë në votime, me votuesit që janë inkurajuar edhe nga natyra e paqartë e garës deri në këtë moment.
”Jam shumë i inkurajuar nga ky sukses në Washington dhe falënderoj votuesit për të gjithë mbështetjen që më kanë dhënë”, deklaroi Romney.
Kandidatët republikanë kanë nevojë të fitojnë mbështetjen e përkthyer në 1.114 delegatë, për të fituar emërimin zyrtar të partisë. Aktualisht, Romney dhe Santorum duket se kryesojnë garën, por e marta do të jetë vendimtare për fatin e të gjithë konkurrentëve në garë.