E Diel, 1 Nëntor 2026

Kina me buxhet rekord për ushtrinë

Shpenzimet ushtarake të Kinës do të rriten për 11.2 për qind në vitin 2012, duke tejkaluar për herë të parë në histori kufirin e 100 miliardë dollarëve, lajmëruan burime zyrtare.

Megjithatë, ekspertë perëndimorë kanë vendosur prej kohësh në pikëpyetje vërtetësinë e statistikave, duke vlerësuar shpenzimet e vërteta të Kinës 2 deri 3 herë më të larta.

Shpenzimet e Pekinit për mbrojtjen kanë ardhur vazhdimisht në rritje në dy dekadat e fundit, duke u shndërruar në vendin e dytë që shpenzon më shumë për ushtrinë, pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Një pjesë e madhe e shumës së planifikuar për vitin 2012 do të shpenzohen në ndërtimin e aeroplanmbajtëseve, aeroplanëve të pakapshëm prej radarëve dhe raketave që janë në gjendje të godasin satelitët në hapësirë.

Presidenti amerikan, Barack Obama, deklaroi në fund të vitit 2011 se SHBA do të forcojë pozitat e saj ushtarake në zonën aziatike dhe se ky kontinent do të ketë një vëmendje të veçantë në të ardhmen. Rritja e menjëhershme e buxhetit kinez të mbrojtjes konsiderohet si një kundërpërgjigje e autoriteteve komuniste ndaj këtyre deklaratave.

Aktualisht, buxheti amerikan për ushtrinë është 740 miliardë dollarë në vit. Britania e Madhe dhe Rusia janë dy shtetet e tjera që shpenzojnë më shumë për mbrojtjen.

Pavarësisht se Kina e deklaron veten një vend paqësor dhe të paangazhuar në konfliktet ndërkombëtare, forcimi i saj i madh ushtarak ka shqetësuar ndjeshëm fqinjët.

Shteti më i populluar në botë, me më shumë se 1,3 miliardë banorë, ka mosmarrëveshje të vjetra territoriale me Vietnamin, Filipinet, Japoninë, si dhe ka vendosur qindra raketa në bregdet drejtuar Tajvanit, ishull të cilin vazhdon të konsiderojë si pjesë të territorit kinez.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›