Edhe dy tërmete të tjera në Maqedoni
Në rajonin e Strugës, Ohrit, Kërçovës e Dibrës, edhe gjatë mëngjesit të sotëm janë ndier lëkundje të tokës, që flet për një aktivitet sizmik në këtë pjesë të Maqedonisë.
Qytetarët e këtij rajoni kanë ndier disa lëkundje të tokës që në orët e hershme të mëngjesit të sotëm, në ora 5:44 minuta, me një intensitet prej 4.5 ballë sipas shkallës Rihter, epiqendra e të cilit ndodhej në rajonin u që godit dje nga tërmeti, ose rreth 15 km larg Ohrit. Vetëm pesë minuta pas kësaj lëkundjeje, është ndier lëkundja tjetër, në ora 5:49 minuta, me një intensitet prej 3.5 ballë të shkallës së Richterit, me epiqendër po në të njëjtin lokacion.
Pas këtyre goditjeve, janë dëgjuar edhe dy lëkundje më të lehta me intensitet prej 2.5 dhe 2.6 ballë të shkallës Rihter. Sipas Qendrës Europiane të tërmeteve, thellësia e këtyre tërmeteve lëviz nga prej 4-10 km. Tërmeti i fundit me intensitet prej 2.6 ballë të shkallës Rihter, është ndier në ora 7:04 minuta.
Këto tërmete së bashku me ato të ditës së djeshme janë regjistruar në koordinatat gjeografike N-41.27 deri ne 41.38 dhe E-20.86 deri 20.93. Nuk ka informacione për dëme të shkaktuara nga këto lëkundje. / INA