E Diel, 1 Nëntor 2026

Një skenar alternativ për ndryshimet në buxhet

Prof.Dr Anastas Angjeli

Një nga çështjet më shqetësuese që është vendosur në qendër të vëmendjes, tashmë në kushtet e krizës globale në përgjithësi, dhe në veçanti të asaj europiane, është ajo e menaxhimit të financave publike, e thënë ndryshe mirëmenaxhimi i buxheteve të shteteve anëtare të eurozonës( veçanërisht çështja e deficitit dhe borxheve). Ky problem ka nxitur mendimin dhe debatin jo vetëm të ekonomistëve, financierëve ekspertëve, analistëve, pse jo, dhe botës akademike, por veçanërisht ka nxjerrë në pah shqetësimin e liderëve kryesore të shteteve më të zhvilluara të globit, e sidomos atyre europian. Kësisoj strukturat drejtuese të BE-së dhe BQE-në (Bankën Qendrore Europiane) kanë reaguar dhe vendimmarrja e tyre në këtë drejtim, mesa duket, po hedh piketat e një arkitekture të re financiare europiane, që synon afrimin e një bashkëqeverisje ekonomike dhe një harmonizim dhe mbikëqyrje më të mirë e më të madhe ndaj buxheteve të shteteve anëtare të eurozonës. Pavarësisht se është shpejt të flasësh për suksesin apo jo të kësaj rruge në të ardhmen, është e sigurt se hapat dhe vendimet që po merren janë të domosdoshëm për t’i bërë ballë krizës buxhetore që është shfaqur në vendet e eurozonës. Kjo edhe sepse liderët e vendeve anëtare të Bashkimit Europian, për herë të parë pranuan se kriza ekonomike “nxori në pah dobësinë e qeverisjes ekonomike” dhe kërkuan adoptimin e një “strategji të re ekonomike për punësimin dhe zhvillimin, gjatë mbledhjes së Këshillit Europian, javën e kaluar. Kjo strategji që mori emrin simbolik “Europa 2020” vendosi “themelet për një qeverisje të fortë ekonomike” dhe “të merren të gjitha hapat e nevojshme për të sjellë përsëri ekonomitë e vendeve të tyre në rrugën e stabilitetit dhe të zhvillimit”. Prandaj, këshilli i bëri thirrje Parlamentit të “adoptojë sa më shpejt propozime ligjore për mbikëqyrjen fiskale”.
“Europa 2020” është një version i rishikuar i Strategjisë së Lisbonës së vitit 2000, por në ndryshim me të, këtë radhë, vendet anëtare morën përgjegjësinë “për të siguruar stabilitetin financiar” me një seri masash dhe, mbi të gjitha morën përgjegjësinë për “monitorimin e tregjeve”, të cilat duhet të jenë juridikisht gati për të funksionuar nga viti i ardhshëm.
Në përgjigje të kësaj filozofie, shtetet e BE-së, (anëtare apo jo të eurozonës) po reagojnë me shpejtësi dhe maturi për të mbajtur në kontroll dhe mirëmenaxhuar financat publike, duke bërë ndryshime dhe riorientime të treguesve dhe politikave buxhetore(për të kontrolluar deficitin dhe borxhin)të shoqëruara edhe me një serë masash strukturore ekonomike në vendet si(Greqia, Spanja, Portugalia, Irlanda, Britania, Franca, Gjermania, etj).
SITUATA AKTUALE
BUXHETORE Në SHQIPëRI
Duhet pranuar se situata financiare –buxhetore e këtij viti në vendin tonë paraqitet jo vetëm e vështirë, por disi e komplikuar për t’u menaxhuar, duke e mbajtur buxhetin e këtij viti në “zonën e rrezikut”. Referuar të dhënave faktike të buxhetit të shtetit(MF), për periudhën 5–mujore të këtij vitit, konstatohet se për këtë periudhë kemi një mungesë të theksuar të të ardhurave fiskale (mos realizim të tyre) prej më shumë se 9 miliardë lekë, të theksuara këto në TVSH, akciza, të ardhura personale, taksa kombëtare, etj, ndërkohë që kemi një tejkalim të dukshëm të deficitit buxhetori, i cili sipas tabelës fiskale të 5 mujorit(MF) është tejkaluar për 53 % ose 4 miliardë lekë(dukje arritur në 153 %), financimi i brendshëm i deficitit buxhetor ka arritur në 196.5 %, duke shënuar një tejkalim prej 96,5 % ose 4.8 miliardë lekë, dhe huaja e brendshme (borxhi i brendshëm) ka arritur në 160 %, pra një rritje prej 60 %, gjatë kësaj periudhe 5-mujore. Padyshim që një situatë e tillë nuk mund të mos shoqërohet me rënien e ritmeve të rritjes ekonomike, thellimi i deficitit tregtar, tronditjen e monedhës tonë kombëtare, Lekut, në raport me USD dhe EURON, rënien e kreditimit të ekonomisë, rritjen e kredive të këqija, rënia e remitancave, rritjen e papunësisë, shtimin e varfërisë dhe të problemeve sociale. Po të konsiderojmë këtu dhe huamarrjen e munguar prej rreth 350 milionë euro, nga eurobondi i emetuar por i parealizuar, tentativat e tjera për huanë e brendshme në euro(25 milionë), situatën e vështirë financiare të Sigurimeve Shoqërore dhe Shëndetësore dhe tendencën e treguesve fiskale për 6-mujorin, atëherë situata pritet të vështirësohet më tej. Kjo situatë e vështirë është e lidhur me disa faktorë;
1-Ndikimi i krizës globale në përgjithësi dhe asaj europiane në veçanti në ekonominë dhe financat tona.
2-Menaxhimi apatik, jo efektiv i pasojave të kësaj krize (reagimi, marrja dhe zbatimi i masave antikrizë, pjesore dhe jo në kohë).
3-Menaxhimi dhe përdorimi populist dhe i politizuar e elektoral i financave publike dhe i buxhetit të shtetit gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2009.
3-Frenimi dhe tkurrja e rritjes ekonomike gjatë këtyre dy viteve( ndikim i krizës, mungesë vizioni, reformash strukturore, paqartësi prioritetesh etj)
4-Vazhdimi i krizës politike për me se një vit në vend – me ndikim të dukshëm në ekonomi, në biznes, në administratën fiskale etj.
NDRYSHIMET BUXHETORE
Që PROPOZOHEN - PASOJAT
DHE RRISQET
Që në fillim dëshiroj të theksoj se personalisht, profesionalisht, jam dakord dhe mbështes nismën për ndryshime të buxhetit të shtetit të këtij viti. Natyrisht që unë jam për ndryshime të tilla buxhetore, që sigurojnë mbajtjen në kontroll të buxhetit, në përgjithësi, të deficitit dhe borxhit në veçanti, cenojnë sa më pak zhvillimin ekonomik e social të vendit. Nisur nga kjo filozofi, mund të përdoren skenarë të ndryshëm. Ndryshimet e propozuara nga Qeveria dhe që priten të diskutohen e miratohen në Kuvendin e Shqipërisë(sipas të dhënave të deri tanishme –pas mbledhjes së Qeverisë që diskutoi këtë çështje) fokusohen në:
Së pari, Qeveria propozon që në buxhetin e vitit 2010 të ulen të ardhurat gjithsej për 30 miliardë lekë.
Së dyti, të ulë shpenzimet buxhetore gjithsej për 30 miliardë lekë, nga të cilat ato për investime kapitale për 18 .6 miliardë lekë.
Së treti megjithëse pretendohet që niveli i shpenzimeve të personelit të mbetet gati njësoj, është deklaruar një rritje e pagave apo e pensioneve (ndoshta duke shfrytëzuar fondin e kontigjencës.
Së katërti, pretendohet që me këto ndryshime deficiti buxhetor do te mbetet në kufijtë e parashikuar në fillim të vitit, aq sa ishte,4 % GDP.
Ndërkohë që masat që do të shoqërojnë realizimin e buxhetit të ndryshuar parashikohen të jenë rritja e akcizave të disa mallrave miratuar dhe hyrë në fuqi pak kohë më parë dhe vendosja e disa kufizimeve në burimet financiare të organeve të pushtetit vendor, si ulja e pragut të TVSH nën 3 milionë lekë (nga 5 milionë lekë) për biznesin e vogël; ndërhyrja në kompetencën për shfrytëzimin e instrumentit të huasë, nga 20 % të të ardhurave mesatare të realizuara në tre vitet e fundit, në 5 %, dhe kufizimi i të drejtës për të ulur apo rritur taksat lokale nga 30% ne 10 %.
Këto masa, veç asfiksimit të financave dhe veprimtarisë së pushtetit lokal, nuk mund të sjellin gjë tjetër.
Konfirmimi dhe miratimi i një skenari të tillë, megjithëse në dukje kontrollues, duket se do të mbartë disa probleme dhe mund të shtojë vështirësitë dhe ta riskojë më tej situatën.
Kështu, ulja e të ardhurave prej 30 miliardë lekë, padyshim që nuk është pozitive sepse jo vetëm që do të kufizojë realizimin e plotësimit të shpenzimeve(uljen e tyre), por do të demotivojë më tej administratën fiskale për rritjen e mbledhjes së tyre.
Nga ana tjetër, një ulje e shpenzimeve është e domosdoshme, por problemi është cilat shpenzime, në çfarë drejtimi. Sipas skenarit të deritanishëm, shpenzimet për investime do të ulen me rreth 18.6 miliardë lekë ose 21.7%. (Investimet e financuara me burime të brendshme ulen me rreth 20 miliardë lekë(shtohen për 2 miliardë lekë investimet e financuara me burime të huaja ……?). Ndërkaq, kjo situatë rëndohet po të konsiderojmë se detyrimet e mbartura nga vitet e kaluara(të pashlyera për investime)janë të mëdha. Ekonomikisht, ky ndryshim do të ketë një efekt të pakonsiderueshëm (më pak para në treg, më pak punësim, rënie të ritmeve të rritjes). Nga ana tjetër impakti mbi të ardhurat do të jetë evident të paktën mbi TVSH. Përkundrejt 18 miliardë lekë shkurtime në Investime, impakti mbi TVSH, mund të jetë në kufijtë, 2.5 deri 3 miliardë lekë më pak.
SKENARI ALTERNATIV PER NDRYSHIMET E BUXHETIT
Ky skenar rekomandon:
-Rishikimi në rritje i objektivave të administratës fiskale e veçanërisht asaj tatimore, veçanërisht për TVSH, akcizën, tatim mbi të ardhurat personale, për të cilat dhe diferenca (mosrealizimi) është më i madh. Për këtë, vlera e mosrealizimit që do të rezultojë në 6-mujorin e parë të këtij viti, të ndahet propocionalisht në 6-mujorin e dytë të vitit. Ndarja duhet të mbajë parasysh potencialin që kanë degë të tatimeve nëpër rrethe, por edhe realizimet në disa vite. Rishikimi në rritje i objektivave duhet të shoqërohet me hartimin e një program veprimi konkret, ku të përcaktohen hapa, afate e përgjegjësi konkrete dhe mënyra e monitorimit muaj pas muaji(duke vendosur dhe masa administrative për mosrealizuesit e detyrave). Një masë e tillë nga njëra anë do të motivojë më shumë administratën fiskale për realizimin e detyrave(në kushtet e krizës së stërzgjatur politike, ky motivim vazhdon të bjerë), nga ana tjetër do të rrisë të ardhurat në buxhet.(mbajmë parasysh këtu edhe efektin e rritjes së akcizave).
-Rishikimi i programit të shpenzimeve fillimisht nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve joproduktive si ato operative, (Shkurtimi i shpenzimeve operative mirëmbajtje, si udhëtim e dieta, karburant, energji kanceleri etj),. paga, sigurime shoqërore etj, si dhe vetëm të disa investimeve.(minimumin e mundshëm të uljes së shpenzimeve kapitale.(për investime).
- Pezullimi i rritjes së pagave dhe pensioneve ose skenari më i mirë, shtyrja e rritjes së tyre,(vetëm në shkallën e inflacionit) në një datë tjetër , psh 1.09.2010 ose më mirë 1.10.2010,
- Të rishikohen skemat e financimit të fondeve speciale, si dhe politikat e mbështetjes së buxhetit të shtetit në raport me ISSH dhe të hiqet dorë nga skema populiste që kërkojnë të ngushtojnë diferencën midis niveleve të ndryshme të pensioneve(sidomos në këtë situatë).
-N.q.se do të konfirmohen kufizimet financiare të pushtetit vendor (të theksuara më sipër), do të duhet medoemos të rritet transferta e pakushtëzuar, që pushteti qendror transferon ndaj pushtetit vendor.
Së fundi, kërkohet më shumë transparencë për destinacionin e përdorimit(duhet të jetë përdorim eficente) të të ardhurave që u siguruan nga shitja e Hoteli Dajtit, Bankës Qendrore.
Natyrisht, funksionimi i këtij skenari do të ishte më optimist, dhe do të garantonte përmirësim në vazhdimësi të situatës buxhetore (edhe për vitin e ardhshëm) n.q.se ai do të shoqërohej edhe me disa aksione të tjera prioritetesh zhvillimi e ristrukturimi dhe padyshim dhe fiskale, së paku afatmesme, si:
- Të shpallet programi i masave tre vjeçare dhe objektivat (në tregues) që do të arrihen në fushën buxhetore, sidomos për dy treguesit shqetësues:.
ulja e defiçitit buxhetor, nën 3.5% të GDP, deri në fund të vitit dhe mbajtja në kufijtë e 3 %, në tre vitet e ardhshme.
- Të vendoset, duke u mbështetur me masa konkrete, ulja e borxhit publik, duke arritur në 53 % të GDP-së në fund të këtij vitit dhe në tre vitet në vazhdim të mbetet në kufijtë e 50 %.
- Të mos vendoset asnjë tatim apo taksë e re për një vit.
- Të diskutohet mundësia e hartimit dhe zbatimit të legjislacionit e vihet në zbatim ligji “Mbi amnistinë fiskale”. (në harmoni me Legjislacionin e Antimafias).
- Të harmonizohet politika e re financiare e buxhetore me një politikë më fleksible (interesash) monetare, (Banka Qendrore dhe Bankat e nivelit të dytë), që nga njëra anë rritritmet e kreditimit të ekonomisë nga sistemi bankar dhe nga ana tjetër nuk ul vigjilencën ndaj sistemit bankar dhe veçanërisht kujdes në ruajtjen dhe frenimin e ritmeve të larta të rritjes së kredive të këqija.
Të bëhet transparente - publike gjendja e buxhetit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që të ndërgjegjësohet opinioni publik dhe të shpallet me prioritet reforma e sigurimeve, megjithë kostot e pasojat që mund të ketë.
- Në këtë kuadër të rikonsiderohen marrëdhëniet me FMN, në përputhje me situatën e krijuar në financat publike të vendit.
Buxhetit i këtij viti do të ndryshojë. ë rëndësishme është që ndryshimet të risjellin kontrollin mbi situatën buxhetore, ta nxjerrin atë “jashtë zonës së rrezikut”, duke garantuar zhvillimin ekonomik dhe social të vendit për të ardhmen, për ndryshe...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›