Ndaloni dhunën ndaj shqiptarëve në Luginë të PreshevësNga Ferid SelimiQeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të ndihmuara nga qeveritë evropiane e botërore, do të duhej të bënin më tepër për t’i ndalur hovin z. Daçiç dhe qeverisë serbe, në përmbushjen
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ndaloni dhunën ndaj shqiptarëve në Luginë të PreshevësNga Ferid SelimiQeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të ndihmuara nga qeveritë evropiane e botërore, do të duhej të bënin më tepër për t’i ndalur hovin z. Daçiç dhe qeverisë serbe, në përmbushjen e aspiratave të tyre shekullore - deportimin e popullatës shqiptare nga territori “serb”.
Ditëve të fundit në Preshevë e Bujanoc, dy komuna këto në Luginë të Preshevës, u destabilizuan sërish dhe situata politike dhe gjendja jetësore e qytetarëve e asaj ane u ashpërsua tej mase, saqë qytetarët e komunës së Preshevës përjetuan karantinë të vërtetë. Pushteti qendror i Republikës së Serbisë, nëpërmjet xhandarmërisë, e nxitur nga ministri i Punëve të Brendshme, z. Ivica Daçiç, prijësit të Partisë Socialiste të Serbisë, përpiqet që me të gjitha mjetet të destabilizojë gjendjen edhe ashtu të brishtë në Preshevë e Bujanoc duke tentuar që në këtë mënyrë t’i hakmerret botës demokratike për lejimin ose më mirë të them, aprovimin e pavarësisë së Kosovës.
E gjithë kjo bëhet me skenar të përgatitur mirë, ashtu si ndodhi para disa viteve, kur në Preshevë u zu njeriu që tentoi të vendoste mjet eksplodues në një lokacion. Personi që u përpoq të vendoste mjetin shpërthyes, (sipas informacioneve që kam), asnjëherë nuk doli para gjyqit dhe as u dëgjua më për të, sepse ishte serb.
Nëpërmjet akteve të tilla, të planifikuara mirë, qeveria e Serbisë më lehtë merr vendim për të përforcuar radhët e policisë dhe të xhandarmërisë dhe mbështet aksionet për bastisje të shtëpive shqiptare. Krejt kjo bëhet në emër të demokracisë, kinse për të çarmatosur popullatën (lexo: ish-ushtarët e UÇPMB dhe të UÇK), me moton: mbrojtja e rendit kushtetues dhe luftimi i “terroristëve” shqiptarë.
Politikë e vjetër e qeverisë serbe, por ama tani pa Kosovën me dy milionë shqiptarë. Në Medvegjë, Bujanoc e Preshevë janë diku rreth tetëdhjetë mijë sish, ndërsa në Serbinë qendrore, rreth tridhjetë mijë. Ky numër kaq i vogël i shqiptarëve në Serbinë dhjetëmilionshe nuk i paraqet qeverisë serbe ndonjë problem të madh, ngase duke i akuzuar, arrestuar, gjykuar dhe burgosur për “prishje të rendit kushtetues dhe për terrorizëm”, ia del shumë lehtë të zbrazë atë rajon nga shqiptarët “terroristë”.
Kjo është mënyra më e lehtë që ndërkombëtarët të mos ndërhyjnë, sepse edhe ata i luftojnë këto dukuri negative.
Në anën tjetër, duke ndërmarrë këso veprimesh, dy komunat e banuara me shqiptarë në Luginën e Preshevës do të lehtësohen paksa nga banorët, duke u shpërngulur popullata shqiptare për në Kosovë e gjetiu.
Serbia në këtë mënyrë do që serbët e mbetur dhe ata që do të duan të ktheheshin në Preshevë e Bujanoc, të kenë një jetë më të “rehatshme” pa shqiptarët fqinj dhe të marrin pushtetin e humbur këtu e 40 vjet më parë (në Preshevë) dhe shtatë vjet më parë (në Bujanoc).
Sido që të jetë, Presheva sërish përjetoi ose më mirë të thuhet përjeton karantinën, siç e pati përjetuar edhe gjatë muajve mars-qershor të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë. Pushtetmbajtësve lokalë të komunës së Preshevës duket që nuk u ka mbetur tjetër, pos të kërkojnë largimin e xhandarmërisë dhe zbardhjen dhe përgjegjësinë për përdorim të forcës së tepruar nga ky njësit që përndryshe është formuar për “mbrojtjen e popullatës” së atjeshme.
Kuvendarëve të kësaj komune, që është në shënjestër të qeverisë së Serbisë me vite të tëra, nuk u mbeti tjetër pos të protestojnë ashpër kundër veprimeve të tilla të xhandarmërisë serbe dhe të kërkojnë njëherësh përgjegjësinë e ministrit të Punëve të Brendshme, z. Daçiç.
Nga ana tjetër, ministri Daçiç nëpër medie deklaron se në Preshevë është shthurur ose është duke u shthurur çerdhja e “terrorizmit” dhe e “tregtisë” me qenie njerëzore.
Bartësit e institucioneve vendore në Preshevë nuk do të duhej të binin pre e këtyre veprimeve të qëllimta të qeverisë së Serbisë e as guxojnë të mendojnë për t’u larguar nga institucionet udhëheqëse komunale, sepse kështu përmbushin interesat e nacionalistëve serbë të tipit të z. Daçiç. Tek e fundit, në Preshevë dhe në Bujanoc jeton shumica e popullatës shqiptare dhe bartësit e institucioneve vendore në ato komuna qeverisin me problemet e asaj popullate.
Janë të kuptueshme shqetësimet e krerëve politikë të Luginës së Preshevës, por ata duhet që të jenë të vëmendshëm për çdo veprim të ndërmarrë, përndryshe do ta paguajnë shtrenjtë çdo veprim që cenon interesat e popullatës shqiptare të asaj ane.
Në anën tjetër, qeveritë në Shqipëri dhe në Kosovë, duhet të angazhohen më tepër në sensibilizimin e situatës së krijuar në ato dy komuna dhe me ndihmën e ndërkombëtarëve të kujdesen më tepër për pakicën shqiptare të mbetur në Serbi.
Zëri i tyre do të duhej të ishte më i fuqishëm në të gjitha organizmat ndërkombëtarë dhe duhet të ndërmarrin hapa më radikalë diplomatikë për të sqaruar çështjen e keqtrajtimit dhe të dhunimit të së drejtës së të jetuarit të pakicës shqiptare në Serbi.
Këto dy qeveri të ndihmuara nga qeveritë demokratike evropiane e botërore, duhet të ndërmarrin hapa konkretë për zbardhjen e fatit të nëntë të arrestuarve dhe tetë të tjerëve të akuzuar për krime lufte në rajonin e Gjilanit.
Qeveritë e Shqipërisë dhe të Kosovës, të ndihmuara nga qeveritë evropiane e botërore, do të duhej të bënin më tepër për t’i ndalur hovin z. Daçiç dhe qeverisë serbe, në përmbushjen e aspiratave të tyre shekullore - deportimin e popullatës shqiptare nga territori “serb”.
Është koha kur do të duhej thënë: Ndal dhunës ndaj shqiptarëve në Serbi dhe ndihmoni integrimin e pakicës shqiptare në jetën kulturore, politike e ekonomike në Serbinë e demokratizuar!
Mjaft me akuza! Mjaft me arrestime! Mjaft me bastisje! Koha nuk pret.
Është koha kur Serbia duhet të mendojë më seriozisht për integrimin në Bashkësinë Evropiane. Kjo mund të arrihet, kur ajo të ndryshojë politikën diskriminuese ndaj pakicave kombëtare; të ndryshojë politikën ndaj Kosovës; dhe të ndryshojë politikën ndaj botës demokratike.
Tek e fundit, motoja që e solli në pushtet z. Tadiç, presidentin e Republikës së Serbisë, ishte “Integrimi në Bashkimin Evropian”.