E Diel, 1 Nëntor 2026

Genc Ruli, përpjekje për të shpëtuar 53 mijë fuçitë e naftës të Rezart Taçit Nga Tema Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, pranoi dje përmes një komunikate zyrtare se anija “Athina”, me destinacion ARMO-n, ka një javë që gjendet në gjirin e Vlo

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Genc Ruli, përpjekje për të shpëtuar 53 mijë fuçitë e naftës të Rezart Taçit Nga Tema

Ministri i Ekonomisë, Genc Ruli, pranoi dje përmes një komunikate zyrtare se anija “Athina”, me destinacion ARMO-n, ka një javë që gjendet në gjirin e Vlorës dhe autoritetet portuale dhe doganore ende nuk i kanë dhënë dritë jeshile tentativës për kontrabandë. Në tekstin e zyrës së ministrit Ruli shihet qartë përpjekja zyrtare për të tejkaluar skandalin. Në manifestin e anijes, dorëzuar tek autoritetet portale, thuhet se nafta, në sasi mbi 8 mijë tonë, është naftë bruto, e papërpunuar ose siç i thonë në gjuhën e tregtarëve të naftës, “naftë virxhine”. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë anija duhet të bllokohet dhe të kthehet mbrapsht, pasi qeveria shqiptare ka marrë vendim të mos lejojë futjen e naftës së papërpunuar nga jashtë Shqipërisë. Kjo naftë e ka sasinë e squfurit 1500 mg/për litër nga 10 që e ka nafta e mirë që shitet në treg. Kështu, nëse Rezart Taçi, në cilësinë e administratorit të ARMO-s, ka dorëzuar këtë dokumentacion, atëherë anija duhet të bllokohet.

Por ekspertë që kanë parë nga afër naftën thonë se ajo është naftë shumë e mirë D1 dhe se deklarimi i ndryshëm është bërë për të fshehur akcizën që duhet të paguajë anija. Kjo përbën një vepër të mirëfilltë penale dhe Rezart Taçi duhet t’u dorëzohet autoriteteve të prokurorisë për t’u hetuar për deklarim të rremë dhe përpjekje për kontrabandë.

Por ministri Genc Ruli, i cili duket hapur se është i përfshirë në përpjekjet për ta shpëtuar këtë skandal, në deklaratën për shtyp thekson se kjo naftë do të lejohet vetëm nëse del naftë D1. Kështu, ai po u jep udhëzim publik vartësve të tij që ta shpëtojnë skandalin duke e deklaruar ashtu siç është në të vërtetë, naftë D1 dhe ndoshta duke ndryshuar dokumentacionin e anijes për të shmangur skandalin dhe përpjekjen për evazion fiskal.

Sidoqoftë, tashmë alarmi i ngritur nga gazeta “TemA” ka bërë punën e tij dhe shumë institucione të shtetit shqiptar, të cilat janë të papërziera në këtë aferë, po shikojnë gjendjen nga afër. Gazeta “TemA” ka pasur dje kontakte me autoritetet doganore dhe ato të Ministrisë së Financave, të cilat e kanë siguruar se çdo gjë do të hetohet në vend dhe se nuk do të lejohet që nafta D1 të futet si naftë e papërpunuar për të shmangur pagesën prej rreth 7 milionë eurosh, që duhet t’i bëjë kjo kompani shtetit me këtë ngarkesë.

Edhe pse të frikësuar nga qëndrimi i shtetit ndaj gazetës “TemA”, autoritetet doganore dhe ato të tatimeve thonë se po e ndjekim situatën nga afër.

I vetmi qëndrim agresiv vjen nga ministri Ruli, i cili është i akuzuar si njeriu kryesor që negocioi shitjen fiktive të ARMO-s te Rezart Taçi dhe për të cilën tashmë është i detyruar të sillet si ushtar i tij.

Cili është skandali i anijes “Athina”

Anija “Athina”, me destinacion ARMO-n, ka 53 mijë fuçi naftë të raportuar si naftë të papërpunuar krudo, ndërkohë që dyshohet se ajo është naftë e pastër. Duke raportuar 53 mijë fuçi naftë të pastër për naftë krudo presidenti i ARMO-s, Rezart Taçi, shmang mbi 7 milionë euro detyrime financiare për shtetin shqiptar, që burojnë nga çmimi i naftës D1, që ai ka realisht dhe akciza e saj. Nëse kjo naftë është e papërpunuar, siç është deklaruar, ajo duhet të kthehet mbrapsht, nëse është D1, atëherë kemi të bëjmë me mashtrim me përmasa të mëdha financiare. Në të dy rastet jemi para një skandali.

Skandalet e tjera të ARMO-s

Rezart Taçi, pronar i ARMO-s, nuk merr dot naftë të papërpunuar nga “Albpetrol” apo “Bankers Petroleum”, pasi ai u detyrohet atyre shuma që respektivisht shkojnë në 30 milionë dhe 20 milionë euro. ARMO po ashtu u ka borxh tatimeve në Shqipëri, pasi prej janarit, sipas ligjit, nuk ka deklaruar sasitë e naftës së marrë, çmimet e tyre dhe nënprodukteve, mbi bazën e të cilave shteti shqiptar duhet të llogarisë detyrimet ndaj tij. Në favorizimin e tij është përfshirë direkt Ministria e Ekonomisë dhe përgjegjësi kryesor mbetet ministri Genc Ruli.

Hija e njeriut piramidë

Sa herë që Rezart Taçi tenton të bëjë aksione të tilla të paligjshme, përpiqet të hutojë opinionin publik me lajme që s’kanë asnjë të vërtetë. Rasti i fundit është përpjekja e tij për të blerë ekipin e Bolonjës. Është e njëjta gënjeshtër që u shfaq vjet për ekipin e Livornos apo para disa muajsh për blerjen e “Sheratonit”.

Pjesë nga reagimi i Genc Rulit

“Vapori ndodhet ende në det, nën kontrollin e doganës, dhe Inspektorati Qendror Teknik nuk i ka kryer ende analizat e naftës. Vetëm ky Inspektorat, pasi merr një kërkesë zyrtare nga ana e Doganës, ka autoritetin dhe teknologjinë për të kryer këto analiza dhe për të dhënë përgjigje, dhe jo fletushkat që s’dinë të bëjnë gjë tjetër përveç shtrembërimit të së vërtetës.

Ne bëjmë me dije se, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës vetëm një javë më parë i ka dërguar një shkresë zyrtare kompanisë në fjalë, me anë të së cilës e kujton që nafta e importit, pasi të përpunohet në rafineri, do të lejohet që të tregtohet në tregun e brendshëm, vetëm nëse do të jetë e standardit D1.

Ne jemi kategorikë në qëndrimin tonë se, çdo kompani që shkel ligjin dhe standardet e vendosura tashmë për cilësinë e karburanteve që duhet të hyjnë në treg, duhet që të penalizohet, gjithmonë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Por, verifikimin e çdo lloj akuze, dhe penalizimin e kujtdo që shkel ligjin në veprimtarinë e tij të biznesit duhet ta bëjnë vetëm organet kompetente.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›