E Diel, 1 Nëntor 2026

Parlamentarët e NATO-s: Politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjykatave

Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s shprehet se është i drejtë qëndrimi i mazhorancës lidhur me kërkesat e opozitës, pasi siç theksuan ata, politika nuk mund të përmbysë me asnjë kusht vendimet e gjykatave. Delegacioni i NATO-s bëri këtë deklaratë sot, gjatë takimit që pati me kryeministrin Sali Berisha. Sergio De Gregorio, President i Nënkomisionit për Marrëdhëniet Transatlantike vlerësoi në takimin me kryeministrin Berisha angazhimin e qeverisë në kuadër të reformave për afrimin e Shqipërisë institucionet evropiane. Duke u ndalur tek situata politike në Shqipëri, kreu i qeverisë Berisha e informoi delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s me bojkotin e institucioneve demokratike nga ana e opozitës. Anëtarët e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s theksuan se askush në komunitetin euroatlantik nuk ka as më të voglin dyshim për legjitimitetin e këtij parlamenti dhe të qeverisë shqiptare. Parlamentarët e vendeve të NATO-s ndanë të njëjtin mendim me kryeministrin Berisha se politika nuk mund të ndërhyjë në vendimet e gjyqësorit. Gjithashtu, parlamentarët e NATO-s theksuan se debati demokratik zhvillohet në parlament dhe se bojkoti i institucioneve demokratike është një qëndrim i pakuptimtë. Më tej, gjatë takimit, biseda u fokusua në zhvillime të përgjithshme. Kryeministri Berisha i shprehu delegacionit parlamentar të NATO-s falënderimet e tij për mbështetjen dhe ndihmën e çmuar që Asambleja Parlamentare i dha Shqipërisë për realizimin e projektit madhor kombëtar, anëtarësimit në NATO në Samitin e Prillit 2009, në Strasburg-Kehl. President i Nënkomisionit për Marrëdhëniet Transatlantike në NATO, z. Sergio De Gregorio, e uroi kryeministrin Berisha për arritjen historike të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Ai e cilësoi këtë proces si kurorëzimin e punës së jashtëzakonshme dhe i reformave të mëdha e të suksesshme të ndërmarra nga qeveria shqiptare në të gjitha fushat, për realizimin e të gjitha standardeve të nevojshme në këtë drejtim. Delegacioni i Asamblesë Parlamentare të NATO-s vlerësoi rolin dhe kontributin e Shqipërisë në misionet e Aleancës, si dhe në misione të tjera, në shërbim të paqes e sigurisë së vendeve, si dhe rolin e rëndësishëm të Shqipërisë tashmë si një aleat i saj. Në takim, anëtarët e Delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s vlerësuan reformat dhe arritjet e qeverisë shqiptare edhe në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE. Në veçanti, rezultatet në luftën kundër krimit e korrupsionit, reformat në fushen fiskale dhe të zhvillimit ekonomik të vendit, në sektorin e mbrojtjes etj. Qeveria shqiptare ka arritur rezultate shumë të rëndësishme ne përmbushjen e standardeve te Bashkimit Europian– theksuan parlamentaret e vendeve te NATO-s duke i shprehur Kryeministrit Berisha edhe nje here mbështetjen e plote edhe për këtë projekt. Takimi u mbyll me urimin e parlamentarëve të vendeve të NATO-s për Kryeministrin Berisha: Ju presim së shpejti në Bashkimin Europian!”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›