Edhe nesër vazhdojnë me takime në Bruksel

(E plotësuar) Bashkimi Evropian nuk ka arritur ta bindë Prishtinën dhe Beogradin rreth planit për implementimin e marrëveshjes gjatë bisedimeve që po zhvillohen në Bruksel. Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi ka bërë të ditur për Express se sonte nuk pritet të ketë marrëveshje për planin implementues.
”Nuk pritet sonte marrëveshje për planin e implementimit. Nesër vazhdojmë me takime” ka thënë Kuçi.
Zëvendëskryeministri Kuçi po ashtu ka mohuar se pala serbe ka kërkuar nga përfaqësuesit europian diskutime për çështje që nuk kanë të bëjnë me marrëveshjen e arritur ndërmjet kryeministrave kohë më parë.
Mediat serbe kanë njoftuar se delegacioni serb ka kërkuar bisedime për Kishën Ortodokse Serbe, përfaqësimin e serbëve në institucionet qendrore në Prishtinë si dhe një varg gjërash tjera. “Asgjë nuk është diskutuar jashtë marrëveshjes”, ka thënë Kuçi.
----------------
Ekipi negociues i Beogradit ua barti sot përfaqësuesve të Komisionit Evropian kërkesën që të nisë dialogu për çështjet që nuk mbulohen nga Marrëveshja.
"Pala jonë ua ka bartur përfaqësuesve të KE-së kërkesën që të nisim me dialogun politik për çështjet që nuk mbulohen nga Marrëveshja, e të cilat kanë rëndësi jetike për të dyja palët”, tha për Tanjugun një burim i afërt me ekipin e Beogradit.
Sipas këtij burimi, këto çështje përfshijnë “pronën, Kishën Ortodokse serbe, përfaqësimin e serbëve në institucionet qendrore në Prishtinë”.
"Deri tash kemi pasur biseda bilaterale me përfaqësuesit e BE-së. Diskutimet janë të hapura dhe komplekse", tha i njëjti burim.
........................
Ekipet negociuese të Prishtinës dhe Beogradit po vazhdojnë takimet në Bruksel në përpjekje që të arrijnë pajtueshmëri rreth planit për zbatimin e marrëveshjes për normalizim e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Udhëheqësi i ekipit të Kosovës, Hajreind Kuçi, ka konfirmuar për mediat e Kosovës se ende po vazhdojnë takimet për të arritur një pajtim.
Pala kosovare në krye me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi është shprehur optimiste se marrëveshja do të nënshkruhet dhe do të definohen afatet kohore, aktorët e zbatimit dhe çështjet konkrete, transmeton koha.
Ndërkohë Serbia kërkon që të bëhen ndryshime në planin e zbatimit të marrëveshjes që e ka prezantuar përfaqësuesi i BE-së, Fernando Gentilini. Shefi i ekipit të Qeverisë së Serbisë për implementimin e marrëveshjes, Veljko Odaloviq ka deklaruar për “Veçernje Novosti”, se Serbia do të kërkoi që të jepen garanci ligjore për themelimin e bashkësisë së komunave serbe dhe që të hartohet statusi i saj që do të garantoj të drejtat që përcaktohen në marrëveshje.
Ekipin e Kosovës në Bruksel po e udhëheq zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Në këtë takim po marrin pjesë koordinatori për bisedime, Blerim Shala, kryeprokurori i Shtetit, Ismet Kabashi, drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, si dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni. Ndërsa, ekipin serb e udhëheq këshilltari i kryetari serb, Marko Gjuriq. Kurse, Komisioni Evropian përfaqësohet nga drejtori për zgjerim, Fernando Gentilini.
Raundi i parë i bisedimeve për zbatimin e marrëveshjes mbajtur para dy javësh kishte dështuar. /Indeksonline/