E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një Bush tjetër në Shtëpinë e Bardhë?

George Prescott Bush është nipi i George W. Bush. Edhe ai ka filluar të joshet nga politika-dhe gjasat e këtij 36 vjeçari nuk janë aspak të këqija. Amalgami i emrave i tri gjeneratave të meshkujve të fuqishëm të familjes Bush, George Prescott, ka lëkurë ngjyrë bronzi dhe flokë të zi. Këtë pamje latine, e cila mund të ketë shumë vlerë për një karrierë politike në Amerikën që po ndryshon, ja dha nëna e tij, meksikania Columba Garnica Galla.

Ai ka të gjitha aftësitë, thonë disa, për t’u bërë presidenti i parë hispanik i SHBA-së. Ai po përgatitet, tërheqin vërejtjen të tjerët, që të ripushtojë Shtëpinë e Bardhë, në të cilën tashmë kanë qeverisur gjyshi dhe xhaxhai i tij, për një nga dinastitë më të fuqishme politike në SHBA. Emri i tij: George Prescott Garnica Bush.

Ky 36 vjeçar nga Texasi është i biri i Jeb Bushit, ish-guvernatorit të Floridës, nipi i George W. Bush, presidentit të 43-të dhe i George H.W Bushit, presidentit të 41 –të të SHBA-së. Stërgjyshi i tij, Prescott Bush, një bankier në Wall Street, përgatiti për familjen terrenin në Washington, në periudhën prej vitit 1953 deri në vitin 1963, kur ishte përfaqësues i Connecticutit në senat.

Amalgami i emrave i tri gjeneratave të meshkujve të fuqishëm të familjes Bush, George Prescott, ka lëkurë ngjyrë bronzi dhe flokë të zi. Këtë pamje latine, e cila mund të ketë shumë vlerë për një karrierë politike në Amerikën që po ndryshon, ja dha nëna e tij, meksikania Columba Garnica Galla. Jeb Bush në vitin 1971 kishte takuar në Leon, Meksikë, të bijën e një punëtori meksikan. Jeb dhe Columba Bush janë të martuar që nga viti 1974 dhe kanë tre fëmijë.

George Prescott, i cili nga miqtë e tij thirret shkurt “P”, qysh në vitin 1988, në moshën 12 vjeçare, mbajti një fjalim në Kuvendin e republikanëve, në të cilin gjyshi i tij u emërua si kandidat për president. Si 24 vjeçar, gjatë fushatës presidenciale në vitin 2000, ishte producent i spotit publicitar, tani për George W.Bush. “Kam një xhaxha, i cili dëshiron të bëhet president, ngase beson në mundësi për të gjithë amerikanët, për të gjithë latinët”, tha në këtë spot avokati i ri. “Emri i tij, i njëjtë si i imi, George Bush”.

Kur Barack Obama u zgjodh për pasardhës të George Bushit, George Prescott kuptoi se Amerika ishte lodhur nga “familja Bush”, për shkak të krizës ekonomike dhe dy luftërave të udhëhequra nga xhaxhai i tij.

Por në të njëjtën kohë, ai la të kuptojë se ka ambicie. Moderatorit të kanalit televiziv, Geraldo Riviera, ju përgjigj në mënyrë shmangëse në pyetjen se a po mendon ai për një karrierë politike në të ardhmen e afërt. “Jo në të ardhmen e afërt”, u përgjigj George Prescott.

Kjo e ardhme e afërt duket se po shndërrohet në një të kaluar. Është e vërtetë se George P. U angazhua për atë që kandidati i republikanëve për president, Mitt Romney, të emërojë të atin e tij, Jeb Bush, për nënkryetar. Por në pjesën më të madhe të rasteve, ai bëri propagandë për vete.

George P. Ka themeluar një Komitet për Aksion Politik, me emrin “Maverick”, i cili është shndërruar në një mjet për tubimin e fondeve dhe të anëtarëve.

Para dhjetë viteve, në pyetjet në lidhje për karrierën e tij politike, George P. Përgjigjej se fillimisht dëshiron të arrijë dhe të ofrojë diçka dhe që mos të dal në arenë me sloganin:”Hej, unë jam i biri, apo nipi i atij apo i këtij”.

Por në ndërkohë, ky jurist, i cili dashurinë e tij për atdheun e ka dëshmuar edhe si oficer në Afganistan, nuk është më gjithaq i përmbajtur.

Tani, George P., i cili falë nënës së tij e flet rrjedhshëm gjuhën spanjolle, po synon të jush para se gjithash dy grupe të votuesve: amerikanët e ri dhe të arsimuar dhe latinët. Nga grupi i parë zakonisht rekrutohen votuesit e pavendosur, ndërsa te grupi i dytë bëhet fjalë për pakicën me rritjen më të shpejtë në SHBA.

George Prescott, i cili nga përvoja e tij i njeh paragjykimet e shoqërisë ndaj imigrantëve hispanikë, por edhe vetëbesimin e tyre gjithnjë e më të madh, dëshiron të modernizojë Partinë Republikane. Ai kërkon që republikanët të bashkëpunojnë me demokratët, në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje të duhur për problemin e imigrantëve.

Deri me sot, emri Bush ka një jehonë mjaft negative në opinionin publik, për shkak të bilancit të presidentit të fundit nga radhët e kësaj dinastie politike. Sipas një ankete më të re, 54 për qind e të anketuarve fajësojnë Bushin për problemet aktuale ekonomike në SHBA, ndërsa 27 për qind Obamën. Por herë do kurdo, gjërat mund të ndryshojnë.

Nëse kjo ndodh në vitin 2016, atëherë ka gjasa që Jeb Bushi, sot 59 vjeçar, të bëjë përpjekje të hyjë në Shtëpinë e Bardhë, si babai dhe vëllai i tij.

Mund të supozohet se George P. Nuk do të garojë pas katër viteve si kandidat i republikanëve për president. George P., i cili atëherë do të mbushë 40 vjet, nuk do të kishte përvojën e duhur politike. Fillimisht, ai do të duhej të bënte një karrierë si senator apo kongresist.

Bazën fillestare për kandidaturën për president ndoshta në vitin 2020, apo 2024, mund ta ofronte ulësja në dhomën e përfaqësuesve. Qysh në vitin 2014, kështu së paku flitet në qarqet e republikanëve, “George i tretë” do të mund të kandidojë për Kongres.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›