Edhe një Corleone
Duhet të ketë qenë një ofertë e mirë, të cilën trashëgimtarët e shkrimtarit Mario Puzo nuk kanë mundur ta refuzojnë: një paraprijës i romanit të autorit “The Godfather” është marrë nga botuesit dhe do të botohet verën e ardhshme.
I bazuar në një skenar të pafilmuar të shkruar nga Puzo, “The Family Corleone” (Familja Corleone) do të shkruhet nga autori i njohur amerikan dhe dramaturgu Ed Falco, profesor i gjuhës angleze në Virginia Tech. I vendosur në vitin 1933, ‘në New York-un e epokës së depresionit’ dhe përpara ngritjes së Corleone-s në fuqi, romani do të rrëfejë historinë se si Vito Corleone ‘ka luftuar për të mbijetuar në nëntokën brutale të kriminalitetit’ dhe si ai përfundimisht bëhet Don i ‘The Godfather’.
Tony Puzo, përmbarues i trashëgimisë së babait të tij, ka thënë se romani i ri ishte ‘trashëgim i Mario Puzo-s’ dhe ‘do të lavdërohet nga të gjithë adhuruesit e filmit Godfather’. Të drejtat autoriale për Amerikën Veriore të romanit janë blerë nga Grand Central Publishing, ndërsa William Heinemann ka siguruar të drejtat e autorit për ta botuar librin në Mbretërinë e Bashkuar në korrik të vitit 2012.
“Ky është romani të cilin adhuruesit e Godfather kanë qenë duke e pritur”, tha botuesi i Grand Central, Jamie Raab, duke e bërë të ditur marrëveshjen. I udhëzuar nga vetë skenari i paprodhuar i Mario Puzo-s, Ed Falco i emocionuar i sjell personazhet klasike të Puzo-s në paraprijësin që e nderon origjinalin si dhe qëndron në vete si roman Godfather për një gjeneratë të re lexuesish”.
The Godfather, i botuar për herë të parë në vitin 1969, sipas Grand Central, është shitur në më shumë se 21 milionë kopje. Ka qëndruar për 67 javë në listën e librave më të shitur të New York Times, duke u dhënë rritje tre filmave shumë të suksesshëm për të cilët Puzo i ka shkruar skenarët në bashkëpunim me regjisorin e njohur Francis Ford Coppola,
duke fituar Oscar për filmin e parë dhe të dytë. ‘Kumbari, pjesa e dytë’ gjithashtu e bën kronikën e jetës së hershme të Don Corleone-s dhe Grand Central nuk e ka specifikuar se si ‘Familja Corleone’ do të ndryshojë nga filmi.
Puzo ka vdekur në vitin 1999, në moshën 78 vjeçare. Ai njëherë ka thënë për romanin e tij bestseller, të cilin e ka shkruar për shkak se ka qenë i trokë dhe në kërkim të të hollave, se ‘do të dëshiroja shumë sikur ta kisha shkruar më mirë’.