E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe një herë për faturën e energjisë elektrike

Ilir Beqja 

Para pak ditësh, në selinë e PS-së, kam bërë një deklaratë publike për të denoncuar abuzimin me faturimin e energjisë elektrike. Është një temë që e rimarr për të tretën herë në 10 muajt e fundit. E rimarr, pasi në mënyrë konstante që prej muajit prill 2008 në tre raste, periudha midis dy leximeve të matësve është më e madhe se 30 ditë. OSSH ka bërë një përgjigje publike ku deklaron se unë paskam treguar faturën time, me të dhëna të mangëta e më tej, se sa paskam konsumuar që prej vitit 2001 Pse prej prillit 2008?
Opinioni publik është i njohur se, që prej 1 mars 2008, çmimi i shitjes së energjisë për pajtimtarët familjarë ndryshon sipas sasisë së konsumit mujor në kwh. Për çdo kwh, mbi 300 të tillë, çmimi është 12 lekë, 5 lekë më shumë se për secilin nga 300 kwh e parë të konsumit mujor.
Menjëherë me daljen e këtij vendimi, KESH në muajin prill 2008 faturoi jo për 30 ditë, por për më shumë. Të njëjtën gjë ka përsëritur edhe OSSH në muajin tetor 2008 dhe së fundmi në janar 2009 me faturat e konsumit të muajit dhjetor 2008.
Në vijim të shkrimit do të shpjegojmë pse në kushtet e çmimit sipas sasisë së konsumit mujor, rritja e periudhës së faturimit mujor në 36 apo 43 ditë është vjedhje për buxhetet familjare.
Pse fatura ime?
Përgjigjen publike të OSSH nuk munda ta gjej të plotë. OSSH nuk paska as faqe interneti. Sipas mediave, OSSH thotë që unë kam shfaqur një faturë pa të dhëna, por që ata paskan "zbuluar" se është fatura e familjes sime.
Po, është e vërtetë që kam shfaqur faturat e mija. Në PS, gjatë javës së kaluar pati shumë njerëz që erdhën dhe u ankuan për faturat e shtrenjta të energjisë elektrike. Pasi diskutuam me ta, prita ditën që shpërndarësit sollën faturën edhe në pallatin ku unë banoj për të analizuar se si qëndronte problemi. Aty pashë që periudha e faturimit ishte 43 ditë. Dhe jo vetëm për faturën time, por edhe për të 120 familjet që banojnë në tre hyrjet e pallatit tim. Prezantimin e faturave të mija e kam bërë me qëllim, pasi ato janë të vetmet fatura ORIGJINALE të tre muajve të fundit që disponoj. Çdo lloj fature tjetër do të ishte kopje. Kam hequr të dhënat e detajuara të faturës personale, pasi në deklaratë nuk denoncoja vjedhjen që po i bëhej Ilir Beqjes, por familjeve shqiptare. Kjo është pjesë e një standardi moral që kam vendosur me veten, që kur vendosa të merrem me politikë. Dhe nuk është vetëm e imja, por edhe shumë shoqeve e shokëve të mi në PS që iu bashkuam Politikës së Re. Sidoqoftë, në të tre faturat që iu shpërndanë edhe medias bashkë me deklaratën, lashë qëllimisht numrin serial të faturës. Numri serial është i vetmi element autentik i çdo fature të energjisë elektrike, që mund të përdorej nga kushdo më tej, gazetar apo zyrtar, që do të kërkonte të provonte vërtetësinë e deklarimeve të mija.
Pse qytetarët vijnë në PS?
OSSH u kërkon qytetarëve të mos manipulohen nga spekulimet e PS. Qytetarët erdhën vetë në PS. Ne nuk mund t'i ndalojmë qytetarët të vijnë e të ankohen. Përkundrazi, kemi marrë përsipër të jemi zëri i tyre publik në denoncimin e padrejtësive që u bëhen. Sigurisht që ne u thamë qytetarëve të drejtohen në OSSH. Por ata na thanë që OSSH operon me logjikën e faktit të kryer. Për çdo ankesë, që një qytetar mund të ketë me faturën e energjisë elektrike, i kërkohet të paguajë fillimisht vleftën e saj të plotë, e më pas mund të ankimojë pretendimet që ka. Kjo është arsyeja pse qytetarët vijnë në PS. Derën e PS-së do ta kenë përherë të hapur.
Si vjedh OSSH?
Mesa duket, jo për të gjithë shqiptarët është evidente se, në kushtet e faturimit të energjisë me çmime të ndryshme për sasi të ndryshme konsumi, faturimi mujor për më shumë se 30 ditë është vjedhje. Për të bërë një analizë më të plotë do të shqyrtojmë dy muaj.
Në muajin tetor 2008, një pajtimtari familjar i vjen një faturë në të cilën evidentohet një konsum 324 kwh. Leximi është bërë në datën 22.10.2008. Leximi i mëparshëm më datën 16.09.2008. Pra konsumi i 324 kwh është bërë për 36 ditë, me një mesatare ditore 9 kwh. Në faturë ka dhe një konsum të përbashkët prej 52 kwh. Vlefta e kësaj fature është :
300 kwh X 7 lekë = 2100 lekë
24 kwh X 12 lekë = 288 lekë
52 kwh X 7 lekë   = 364 lekë
Totali = 2752 lekë + 20 % (TVSH) = 3302 lekë
Nëse periudha midis dy leximeve të matësit do të ishte 30 ditë, me mesatare konsumi ditor 9 lekë, do të kishim një konsum mujor prej 270 kwh dhe konsum të përbashkët prej 43 kwh. Pajtimtari nuk do të paguante asnjë kwh me çmimin 12 lekë. Vlera e faturës do të ishte :
270 kwh X 7 lekë = 1890 lekë
43 kwh X 7 lekë  = 301 lekë
Totali = 2191 lekë + 20 % (TVSH) = 2629 lekë
"Dikush" mund të thotë: "Epo mirë, ç'të keqe ka? Muajin tjetër do të paguajë më pak!". Le të analizojmë edhe muajin tjetër
Në muajin nëntor 2008, të njëjtit pajtimtar familjar i vjen një faturë në të cilën evidentohet një konsum 253 kwh. Leximi është bërë në datën 17.11.2008. Leximi i mëparshëm më datën 22.10.2008. Pra, konsumi i 262 kwh është bërë për 26 ditë, me një mesatare ditore 10.02 kwh. Në faturë ka dhe një konsum të përbashkët prej 40 kwh. Vlera e kësaj fature do të ishte :
262 kwh X 7 lekë = 1834 lekë
40 kwh X 7 lekë   = 280 lekë
Totali = 2114 lekë + 20 % (TVSH) = 2536 lekë
Nëse leximi do të ishte bërë po në datën 17 nëntor, por edhe i mëparshmi do të ishte bërë në 16 tetor 2008 (një muaj fiks pas leximit të muajit shtator), do të kishim një konsum të muajit nëntor prej 302 kwh. Edhe konsumi i përbashkët do të ishte 46 kwh. Vlera e kësaj fature do të ishte :300 kwh X 7 lekë = 2100 lekë
2 kwh X 7 lekë   = 14 lekë
46 kwh X 7 lekë  = 322 lekë
Totali = 2446 lekë + 20 % (TVSH) = 2935 lekë
Kështu sipas faturimit faktik, në të dy muajt së bashku, pajtimtari i marrë si shembull është faturuar për 5839 lekë. Nëse leximet e matësve do të ishin bërë çdo 30 ditë, faturimi duhet të kishte qenë 5564 lekë. Pra, duke lëvizur datat e leximit të matësve dhe duke shfrytëzuar faturimin sipas sasisë së konsumit, vetëm për muajt tetor-nëntor së bashku, OSSH rrit faturimin me 5 % ose 275 lekë më shumë.
Kemi dëshmuar se si në 10 muajt e fundit, ndryshimi i periudhave të leximit ka ndodhur tri herë. Pra, për tri herë së bashku, një familjeje i janë marrë abuzivisht rreth 825 lekë ose 8.7 dollarë. Për të gjithë pajtimtarët familjarë kjo do të thotë miliona dollarë.  
* * *
E gjitha sa prezantova më lart, shërben për të kuptuar pse OSSH, nuk u përgjigj në deklaratën e saj, pse faturon herë për 36 ditë, herë për 26 ditë e herë për 43 ditë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›