Vdekja e foshnjës, gjykata fal mjekët
Trazhgim Sokolaj
Gjykata e Tiranës shpalli të pafajshëm dy mjekë të akuzuar për mjekim të pakujdesshëm me pasojë vdekjen e foshnjës 16-muajsh Orges Dardha. Ndryshe nga sa kishte kërkuar Prokuroria e Tiranës, e cila deklaroi në gjykatë se mjekët Bensar Shuteriqi dhe Ramazan Isufi duheshin dënuar me nga një vit burg, togat e zeza kanë shpallur pafajësinë e bluzave të bardha. Vendimi i cili nuk është bërë publik është shpallur më 12 janar 2009, ndërsa mësohet se ditën e djeshme është apeluar nga Prokuroria e Tiranës. Kjo e fundit ka kërkuar një masë dënimi me burgim ndaj dy mjekëve që u morën të pandehur dhe u akuzuan për vdekjen e fëmijës 16-muajsh pas një ndërhyrje kirurgjikale në QSUT tre vjet më parë. Në atë kohë, i mituri Orges Dardha ishte paraqitur në QSUT nga prindërit e tij për ndërhyrje kirurgjikale në rrugët e frymëmarrjes. I mituri humbi jetën në sallën e operacionit, ndërsa ndërhyrja kirurgjikale është realizuar nga mjekët që u morën të pandehur nga prokuroria, Bensar Shuteriqi dhe Ramazan Isufi. Pas përfundimit të gjykimit, në seancën e paraqitjes së pretencës, organi i akuzës kërkoi dënimin me nga një vit burg dhe 1 vit heqje të së drejtës për ushtrim të profesionit për dy mjekët, por Gjykata e Tiranës, me vendim nr.7 të vitit 2009 ka hedhur poshtë akuzat dhe ka shpallur mjekët të pafajshëm. Vendimi ende nuk ka marrë formë të prerë, pasi është ankimuar nga Prokuroria.
Vdekja e fëmijës
Ndërhyrja kirurgjikale në rrugët e frymëmarrjes tek fëmija 16-muajsh nga Peshkopia, është bërë më 9 shtator 2006 kur Orgesi vdiq në sallën e operacionit në QSUT. Gjatë hetimeve Prokuroria zbuloi të dhëna se shkaku i vërtetë i vdekjes ishte tentuar të modifikohej gjatë kryerjes së autopsisë së kufomës. Ndërhyrje janë bërë edhe në dokumentet e klinikës së kirurgjisë, pasi hetuesit kërkuan aty listën e personave të operuar atë ditë në të cilën emri i Orges Dardhës ishte hequr e më pas ishte hedhur me shkrim dore. Ekspertiza shkencore zbuloi se ndërhyrjet me shkrim ishin bërë nga shefi i pavijonit të Kirurgjisë në atë kohë, Ramazan Isufi, i cili në atë kohë deklaroi publikisht se ishte titullar dhe kishte të drejtën e ndërhyrjeve të tilla në fletët e planit të operacioneve. Prokuroria renditi në aktakuzë edhe faktin se fëmija është futur në sallën e operacionit nga mjekët pa marrë miratimin me shkrim nga prindërit, të cilët kanë qenë të pranishëm në spital. Sipas hetimeve, nga kartela e Orges Dardhës ishin hequr edhe emrat e mjekëve, me qëllim që përgjegjësia për mjekimin e gabuar të mos personalizohej asnjëherë. Prokuroria thekson se operacioni që i mori jetën fëmijës ka qenë i panevojshëm për gjendjen e tij dhe shqetësimet, që ai kishte, ndërsa dyshohet se mjekët kanë pasur për qëllim përfitimin e shumës 50 mijë lekë të reja, që kanë faturuar në këtë rast. Fëmija që vdiq vuante nga çarja e qiellzës, një shqetësim i quajtur ndryshe shkencërisht "palatum schizi". Kjo sipas specialistëve të pyetur prej prokurorisë është një sëmundje që operohet në moshë të rritur ose mjekohet në forma të tjera jo kirurgjikale, në moshën që kishte Orges Dardha.
Zbulova se nuk i kishin bërë fare autopsi
Kryeinfermierja K. Marku dhe mjekja N. Kromidha të dyja të thirrura si dëshmitare në gjyqin kundër dy mjekëve të akuzuar nga Prokuroria, kanë pohuar pak kohë më parë në gjykatë se ishin njoftuar nga pavijoni i ORL-së se do dërgohej në Pediatri një fëmijë në gjendje të rëndë. Ato kishin përgatitur sallën e operacionit dhe në momentin që mbërriti fëmija u vendos të futej në operacion. Dy dëshmitaret thanë në gjyq se ndërhyrja tek fëmija ka qenë e pamundur, pasi ai ishte në grahmat e fundit të jetës dhe zemra i punonte me aritmi. Pas kësaj fëmija 16-muajsh, Orges Dardha, ka ndërruar jetë. I ati i fëmijës Luan Dardha ka pohuar në gjykatë se, rreth dy orë pasi i kishin thënë se fëmija do hynte në operacion mjekët e kishin ngushëlluar për vdekjen e tij. Dy javë më vonë, pasi fëmija ishte varrosur në Peshkopi, i ati ka dashur ta çregjistrojë nga Gjendja Civile, ku i kanë kërkuar certifikatën e vdekjes. Të cilën ka ardhur të kërkojë në pediatri në Tiranë, por aty i kanë thënë se fëmijës nuk i ishte bërë autopsi.