E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëzohet nga pallati përballë policisë, vdes vajza 5-vjeçare

 

TIRANE - Rrëzohet nga pallati, vdes e mitura. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme kur një vajzë pesëvjeçare është rrëzuar nga ballkoni i një pallati pranë Komisariatit nr. 1, të policisë së kryeqytetit. Sipas burimeve nga policia e Tiranës fëmija është rrëzuar nga pakujdesia, ndërsa luante me bashkëmoshatarë të vet dhe përplasja në asfalt ka qenë fatale për të. Të afërmit dhe familjarët e kanë dërguar menjëherë në spital, por ka qenë i pamundur rikthimi në jetë i vajzës, pasi kishte marrë dëmtime të rënda në kokë dhe organet jetësore. Pas kësaj trupi i pajetë i fëmijës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku pas ekspertizës ka rezultuar se vdekja i kishte ardhur nga plagët e shumta që kishte marrë nga përplasja. Të lajmëruar nga dëshmitarët, menjëherë në vendin e ngjarjes kanë mbërritur ekspertë të policisë së kryeqytetit, të cilët pas kryerjes së veprimeve të para hetimore kanë nxjerrë konkluzionin se vdekja se vajzës pesëvjeçare me iniciale D.I., ka ardhur si pasojë e rrëzimit të saj aksidental nga ballkoni i katit të pestë të pallatit. Mësohet se e mitura ndodhej te shtëpia e një të afërmi të vet, ku kishte shkuar për vizitë me familjarë të tjerë. Rreth mesditës së djeshme vajza pesëvjeçare ka qenë duke luajtur me të afërmit e vet bashkëmoshatarë në ballkonin e apartamentit, larg vëmendjes së të rriturve. Në një moment vajza është mbështetur në bordurën e ballkonit dhe ka humbur ekuilibrin, duke u rrëzuar poshtë dhe është përplasur në asfaltin e rrugës. f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›