Qëllohet me levë në kokë i riu, që përdhunoi vajzën në shkollë
TIRANE - Një person i akuzuar nga policia për përdhunimin e një vajze 14-vjeçare në kryeqytet është qëlluar dje me leva në kokë, duke mbetur i plagosur. Burime zyrtare nga policia e Tiranës, thanë dje se specialistët e Seksionit Kundër Vjedhjeve me Dhunë dhe të Shkatërrimit të Pronës, kryen arrestimin në flagrancë të Dashamir Musës, 18 vjeç, banues në Laprakë, person i proceduar me parë për vjedhje. Sipas policisë, rreth orës 16.30, në rrugën "Lord Bajron", dyshohet se ai ka goditur me levë në kokë, 18-vjeçarin Nderim Lleshi, banues në Paskuqan, person i proceduar më parë për pedofili. Policia tha se për sulmin me levë u hetua fillimisht për vjedhje me dhunë, por pas kallëzimit të marrë nga i dëmtuari dhe rrëfimeve të mbledhura nga dëshmitarët e ngjarjes, u konkludua se bëhet fjalë për një plagosje të rëndë me dashje, për motive të dobëta. Dosja penale për këtë ngjarje i kaloi Prokurorisë së Tiranës për akuzën e "plagosjes së rëndë me dashje". Ndërkaq, Nderim Lleshi personi i plagosur me levë, mësohet se është arrestuar dy vjet më parë me akuzën e tentativës së "kryerjes të marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur". Siç pretendon policia, ai ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me një mitur në shkollën "Vasil Shanto". Policia tha se i akuzuari ka hyrë në ambientet e shkollës dhe është afruar tek një klasë në bankën e parë të së cilës ndodhej një vajzë në klasën e katërt. Ai e ka tërhequr vajzën në një klasë të zbrazur, duke tentuar të kryente veprime të turpshme ndaj saj. Kanë qenë nxënësit tjerë, shokë të klasës së vajzës së dëmtuar, ata që kanë dhënë alarmin në shkollë. Autori u kap në flagrancë pak minuta më pas ende pa arritur qëllimin e tij për abuzim seksual me vajzën e mitur.