E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: Po kontaktoj kompani për ruajtjen e votës në SHBA

 

"Në Amerikë po kontaktoj kompani të njohura amerikane për të mbrojtur zgjedhjet". Kreu i LSI-së Ilir Meta gjatë një interviste në "Zëri i Amerikës", tha se po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe për të realizuar atë angazhim që forca politike, që ai drejton ka marrë për mbrojtjen e zgjedhjeve të qershorit nga manipulimi i votës nga dy partitë kryesore. "Përveç ftesës nga Komiteti Inaugurues i Presidentit Obama, jam në Amerikë për të zhvilluar bisedime, të cilat kanë qenë në proces, me kompani të ndryshme. Bisedime me kompani të ndryshme amerikane, të njohura, për sa i takon, në radhë të parë, paralizimit të skemave manipuluese dhe garancive shtesë për një proces zgjedhor. Ne po bashkëpunojmë dhe shumë shpejt do të bëjmë publike gjithçka në mënyrë transparente", tha Meta. Sipas tij, "çështja e zgjedhjeve do të jetë një çështje shumë e madhe dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë, që vota e shqiptarëve të jetë e shenjtë. Do të jetë një çështje shumë më e madhe sesa ka qenë deri tani". I pyetur nga gazetari i "Zëri i Amerikës" rreth garancive, që qeveria shqiptare jep për zgjedhje të lira dhe të ndershme, kreu i LSI-së u shpreh se standardet demokratike në Shqipëri, por dhe ato të zgjedhjeve tregojnë se nuk ka vullnet politik nga partitë e mëdha për të garantuar votën e lirë. "Të bazohesh te garancitë e Kryeministrit Berisha, nuk është e mjaftueshme që unë dhe gjithë shqiptarët të jemi të qetë për arsye se ai ka qenë President në vitin '96, ku ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë me zgjedhjet e demokracinë në vendin tonë, apo aq më tepër që PS e PD kanë treguar se ende nuk kanë një vullnet të plotë dhe të pjekur politik për të garantuar shqiptarët të votojnë në mënyrë të lirë e të drejtë. Megjithatë, unë besoj se shqiptarët kanë shumë më tepër përvojë dhe njëkohësisht unë kam premtuar, po kështu dhe forca jonë politike, që ne do të kërkojmë garanci shtesë për qytetarët shqiptarë që votat e tyre të mbrohen dhe për të paralizuar skema të mundshme të manipulimit", tha Meta. Kreu i LSI-së dha dje gjatë intervistës së tij se garancitë që kjo forcë politike nuk do të jetë më forcë e tretë, siç ishte në dy zgjedhjet e kaluara, 2005 dhe 2007, por forcë e parë në zgjedhjet e qershorit. "LSI sot përgatitet për të fituar zgjedhjet. Ne jemi forcë e tretë politike në Shqipëri dhe kjo nuk kontestohet nga askush dhe nuk synojmë për të dalë përsëri të tretët, pra që të mbetemi, pak a shumë, në vend", tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›