E Diel, 1 Nëntor 2026

Kartat, hiqen penalizimet për ata që kanë pasaporta

 

ADI SHKEMBI

Pas konsensusit për ngritjen e komisionit 'ad hoc' për monitorimin e procesit zgjedhor, maxhoranca pranon një tjetër kusht të opozitës. Qeveria do të marrë vendim për të hequr afatet shtrënguese për qytetarët që janë të pajisur me pasaporta dhe aplikojnë për kartat e identitetit. Një nismë e tillë merret për t'u dhënë përparësi aplikuesve që nuk kanë pasaportat dhe që duhet të pajisen patjetër me një prej dy dokumenteve që lejohen për të votuar. Në këtë mënyrë, të gjithë qytetarët që kanë pasaportë nuk do të rrezikojë marrjen e rrogës apo pensionit nëse nuk aplikojnë brenda afateve të parashikuara në vendim. Në aktin e qeverisë, i cili mban datën 8 janar 2009, parashikohet pikërisht nisja e procedurave të pajisjes me letërnjoftimet elektronike, çka detyron të gjithë qytetarët, përfshi edhe ata që kanë pasaportë, për t'u drejtuar në zyrat e postës për të blerë kuponin me të cilin më pas do të aplikojnë. Vendimi thekson se administrata duhet të aplikojë brenda 25 marsit; studentët brenda 30 marsit; pensionistët brenda 15 prillit; personat që marrin ndihmë sociale brenda 30 prillit. Vendosja e këtyre masave shtrënguese ka bërë që në zyrat e postës dhe ato të gjendjes civile të ketë një fluks të madh qytetarësh, ku të shumtë kanë qenë edhe ata që, megjithëse kanë pasur pasaportë, kanë aplikuar për marrjen e kartës së identitetit. Pas qëndrimit të fundit të maxhorancës, këto afate nuk do të ekzistojnë më, të paktën deri ditën e zgjedhjeve, për ata qytetarë që janë të pajisur me pasaporta.
Berisha
Pranimin e kërkesës së opozitës e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e radhës të qeverisë. Sipas tij, "lidhur me propozimet e opozitës - të cilat unë kam shprehur gatishmërinë t'i vlerësoj - që kërkon heqjen e shtrëngimeve për ata që kanë pasaporta, për pajisjen me letërnjoftim, unë jam plotësisht dakord të shqyrtohen dhe i presim me shkrim propozimet". Ky akord mes qeverisë dhe opozitës vjen vetëm një ditë, pasi shumica pranoi kërkesën për ngritjen e një komisioni 'ad hoc', i cili do të ndjekë nga afër përgatitjet për zgjedhjet e 28 qershorit. Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, propozoi në fillim të javës pikërisht ngritjen e këtij komisioni, ndërkohë që një ditë më vonë opozita dërgoi në Kuvend shkresën për mënyrën e funksionimit të tij. Por në ndryshim nga varianti i parë i opozitës, e cila propozonte drejtimin e komisionit nga një anëtar i saj, maxhoranca u shpreh se komisioni duhet të drejtohet nga dy bashkëkryetarë, kjo për shkak të Rregullores së Kuvendit. "Duke pasur parasysh faktin që kjo është një çështje me interes të përbashkët, ne jemi plotësisht dakord që ky komision të ngrihet me formatin e kërkuar nga opozita, por me kryesimin e dy bashkëkryetarëve, një përfaqësues nga maxhoranca parlamentare dhe një përfaqësues nga opozita parlamentare", theksoi të martën kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi.

Kartat e identitetit ndezin debatin në Komisionin e Ekonomisë

Heqja e TVSH-së për kartat e identitetit ka ndezur debatin dje në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Qeveria ka propozuar që të hiqet tatimi mbi vlerën e shtuar dhe taksën mbi pullën për kartat e identitetit, me argumentin që çmimi i tyre të mos rritet dhe qytetarët të paguajnë vetëm 1200 lekë të rinj. Por një gjë e tillë ka ngjallur reagime të ashpra në radhët e deputetëve të Partisë Socialiste. Madje, sipas tyre, me anë të kësaj mase qeveria synon që të favorizojë kompaninë "Sagem". "Në tender çmimi ka qenë me TVSH apo pa TVSH. Është e rëndësishme ta kuptojmë se kujt po ia bëjmë favorin", u shpreh dje deputeti i PS-së, Erjon Braçe. Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga pozita. "Nuk është e vërtetë se po i bëjmë favor kompanisë. Është masë që merret për të lehtësuar qytetarët", tha kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho. Por, sipas deputetëve të PS-së, edhe me këtë vendim, prapë çmimi mbetet 12 mijë lekë, nuk ulet me 100 lekë nga taksa kombëtare. Në këtë mënyrë, deputetet e opozitës kanë kundërshtuar draftin e qeverisë, me argumentin se përmes këtij vendimi qeveria kërkon të rimbursojë kompaninë koncensionare dhe jo të mbrojë xhepin e qytetarëve. Sipas Ministrisë së Financave, efekti në buxhet, i heqjes së këtyre dy taksave është 317 milionë lekë. "Këto para të mblidhen e t'u jepen qytetarëve në nevojë, s'kanë pse të lehtësohen të gjithë. Unë dhe t'i s'kemi nevojë të lehtësohemi për 100 lekë", tha dje nënkryetari i Komisionit të Ekonomisë. Debati mes deputeteve të opozitës e pozitës dhe zëvendësministrit të Financave, Florjon Mima, zgjati për gati 60 minuta, por palët nuk ranë dakord mbi këtë draft të qeverisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›