Ndoka: Gjykata e Tiranës rrëzoi Gurakuqin
Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, bëri të ditur dje se Gjykata e Tiranës, përmes një vendimi të një dite më parë, rrëzoi pretendimet e Anton Gurakuqit, sipas të cilave ai ishte kreu i kësaj partie. Në një deklaratë për shtyp, Ndoka bën të ditur se "nga shqyrtimi i dokumentacionit të paraqitur në gjykatë nga z. Gurakuqi, rezulton se nuk ka asnjë dokument me vlerë juridike që të provojë se shumica e kryetarëve të degëve dhe të kryesisë së PDK-së kanë mbështetur thirrjen e të ashtuquajturit kongres të jashtëzakonshëm, që kërkoi largimin e kryetarit legjitim të partisë dhe zëvendësimin e tij nga organizatori i këtij skenari kundër PDK-së, Anton Gurakuqi, i mbështetur edhe nga segmente të pushtetit që kërkonin largimin e PDK-së nga qeverisja". Në këtë mënyrë, sipas kreut të PDK-së, Nard Ndoka, bien edhe pretendimet e kryeministrit Berisha, sipas të cilit, kjo forcë u përjashtua nga qeveria për shkak të konflikteve brenda saj. "PDK, duke përshëndetur paanshmërinë e gjykatave shqiptare dhe respektimin e ligjit nga ana e gjyqtareve, vlerëson progresin që është bërë me pavarësinë e institucioneve tona të drejtësisë dhe garanton se edhe në të ardhmen do të mbështesë çdo përpjekje dhe reformë që garanton pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe zbatueshmërinë e ligjit në Shqipëri", theksoi më tej Ndoka.